Zgjedhjet Presidenciale, MPB: Tërhiqni letërnjoftimet deri të premten

06.02.2019 16:13

Komisioni Shtetëror Zgjedhor po bën i përgatitjet finale rreth zgjedhjeve presidenciale....

Komisioni Shtetëror Zgjedhor po bën i përgatitjet finale rreth zgjedhjeve presidenciale të cilat duhet të shpallen të premten. Një ditë pas shpalljes së zgjedhjeve, MPB duhet të dorëzojë në KShZ listën e qytetarëve me letërnjoftime valide, në mënyrë që Komisioni të përpilojë Listën Zgjedhore.

Jozyrtarisht janë 2-3 mijë qytetarë që ende nuk i kanë tërhequr letërnjoftimet e tyre të bëra gati nga sportelet e MPB-së. Nëse të njëjtët duan të votojnë, duhet patjetër që deri të premten të tërheqin letërnjoftimet, thonë nga MPB.

“MPB deri tek KShZ i dorëzon të dhënat e qytetarëve të cilët janë të moshës madhore, andaj apelojmë deri tek qytetarët që këtë gjë ta bëjnë deri të premten dhe poqëse nuk i marrin dokumentet e tyre personale, atëherë të njëjtit nuk do të jenë pjesë e Listës Zgjedhore”,- deklaroi Admir Shabani nga MPB.

KSHZ: TË GATSHËM EDHE PËR DY PROCESE PARALELE ZGJEDHORE

KShZ ndërkohë thotë se është e gatshme të realizojë edhe procesin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nëse vendoset që ato të mbahen bashkë me presidencialet. 

“Nëse eventualisht merret vendim që të realizohen edhe zgjedhjet parlamentare së bashku me ato presidenciale, KShZ është e përgatitur edhe për atë sfidë. Ne kemi përvojë të tillë kur kemi realizuar nga dy palë zgjedhje paralele, ashtu që kjo nuk është ndonjë sfidë e jashtëzakonshme për ne”,- tha Ljupka Gugucevska nga KShZ. 

Lista Zgjedhore do të vendoset në shqyrtim 20 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, në mënyrë që qytetarët të mund të shohin se a janë të regjistruar apo jo në të njëjtën. (Fitim Kryeziu, TVM2)