Agjencia për zbatimin e Ligjit të Gjuhëve, qeveria nis procedurat për zgjedhjen e drejtorit
06.02.2019 16:20
Sekretariati i përgjithshëm i Qeverisë ka nisur procedurat për zgjedhjen e drejtorit të Agjencisë për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve....

Zëdhënësi i Qeverisë, Muhamet Hoxha thotë se përzgjedhja e drejtorit do të bëhet pas shqyrtimit të të gjithë kandidatëve të paraqitur. Drejtori i ri do të jetë i obliguar më tej për riorganizimin e brendshëm.
“Rrjedhin procedurat në Sekretariatin e Përgjithshëm të Qeverisë për të shpallur kandidaturën, ku ka disa procedura të cilat janë të nevojshme dhe pastaj vjen shpallja. Është me rëndësi që prej dje kanë filluar të gjitha procedurat për të bërë publikimin e shpalljes për drejtorin e Agjencisë së Zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve”,- u shpreh zëdhënësi i qeverisë, Muhamed Hoxha.
AHMETI: VETËM MAQEDONIA MBRON ME LIGJ PËRDORIMIN E GJUHËS SHQIPE
Për kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, është shumë e rëndësishme që në krye të këtij institucioni, por edhe të punësuarit e tij, të jenë më të mirët, që të mundësojnë funksionimin e pandërprerë të përdorimit të gjuhës shqipe në institucione jo vetëm sipas ligjit por edhe sipas standardit.
“Çdo institucion do të jetë në shënjestër se si e përdor apo se si e aplikon gjuhën në përgatitjen e formulareve të ndryshëm dhe tjetri në kontrollin e ligjit se sa zbatohet përdorimi, a zbatohet ligji në përdorim. Ne kemi bërë një sukses të jashtëzakonshëm, gjuhën shqipe në RM. Jemi të vetmit që e mbrojmë me ligj, as Shqipëria nuk ka ligj për mbrojtje të gjuhës e as Kosova. Në Maqedoni ka ligj për përdorimin e gjuhës shqipe”,- theksoi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Përveç Agjencisë për zbatimin e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duhet të formohet edhe Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, i cili do të ndjek dhe përkujdeset për zbatimin e të njëjtit. Nëse institucionet nuk i zbatojnë direktivat e këtij ligji, parashihen dënime prej 4 deri më 5 mijë euro. (Besim Abdullai, TVM2)
