Maqedoni
Këmbimi tregtar Maqedoni-Kosovë, afaristët: Jo në nivel, kemi pengesa në kufi
06.02.2019 16:53
Ndonëse Shkupi dhe Prishtina janë dy kryeqytetet më të afërta gjeografikisht me njëra-tjetrën, shkëmbimi tregtar mes këtyre dy vendeve nuk është në nivelin e duhur....

Kompanitë thonë se shkak për këtë janë barrierat e ndryshme me të cilat ato përballen. Përveç infrastrukturës, që shihet si një problem kryesor, kompanitë përballen edhe me pengesa në dogana dhe me pritje të gjata në kufi.
“Pengesat janë për shkak edhe të neglizhencës në kufi, por edhe për shkak se ende Kosova nuk i ka plotësuar disa kushte, sidomos në produktet e mishit. Realisht produktet e Maqedonisë janë shumë më prezente në Kosovë, se sa produktet tona këtu dhe kjo është edhe një shqetësim i yni”,- u shpreh kryetari i Odës së Afaristëve të Kosovës, Skender Krasniqi.
“Krahasuar me vitin 2017, diku me 15% është rritur eksporti ndaj Kosovës, që është për t’u përshëndetur, por kjo mund të jetë edhe më e madhe nëse kemi një bashkëpunim më të mirë. Jo më shumë se dje kishim një rast ku prodhuesit e miellit të Maqedonisë ankoheshin që mielli që eksportohet në Kosovë nga shtetet e BE-së qarkullon shumë shpejtë, kurse mielli që eksportohet nga Maqedonia në Kosovë ngel në kufirin e Kosovës me ditë të tëra”,- u shpreh kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Vendosja e taksës ndaj produkteve serbe nga ana e Kosovës ka rritur shkëmbimin tregtar, por jo në nivel të kënaqshëm, thonë nga OEMVP.
“Është një moment që ne duhet ta shfrytëzojmë tash, duke marrë parasysh që taksa 100% e Kosovës ndaj produkteve serbe ndikon dhe ka mundësi që të ketë impakt pozitiv në prodhuesit e Maqedonisë”,- u shpreh kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
Me qëllim të thellimit të bashkëpunimit, Oda e Afaristëve të Kosovës dhe OEMVP nënshkruan memorandum bashkëpunimi në Shkup.
ERSAN PAJAZITI
