Maqedoni

“Maqedoni - ti je një lule dielli”, 62,000 euro pajisje në Klinikën për fëmijë në Shkup

06.02.2019 18:00

Fushata e Fondacionit “Ti je një lule dielli” me seli në Shqipëri, mundësoi mbledhjen e fondeve për blerjen e pajisjes teknike spitalore...

Fushata  e Fondacionit “Ti je një lule dielli” me seli në Shqipëri, mundësoi  mbledhjen e fondeve për blerjen e pajisjes teknike spitalore me vlerë prej 62 mijë eurosh për pavionin e Onko-hematologjisë në Klinikën Universitare për sëmundjet e fëmijëve në Shkup, ku kurohen fëmijët e sëmurë nga sëmundjet e gjakut, kancerit dhe leukemisë.
 
“Fushata u krye me sukses në kohë rekord, ne ia dolëm me forcën e madhe të dashurisë dhe për fëmijët dhe të ardhmen e tyre”,- deklaroi Albana Osmani nga Fondacionit “You Are A Sunflower”.
 
“Sot dielli im rrezaton, sot dielli im është duke u shëruar falë ndihmës që ju na jepni dhe sot zemra ime është ngroh nga dielli”,- tha prindi, Ramadan Saliu.
 
“Me këtë donacion do t’i lehtësohet puna edhe personelit mjekësor, i cili është i vogël por është profesional dhe është i dedikuar për kujdesin ndaj luftëtarëve të vegjël”,- u shpreh drejtoresha e Klinikës Universitare të Fëmijëve, Katerina Stavriq.
 
“Gjithashtu edhe prindërve do  t’u shtohet besimi se gjithçka do të shkojë mirë me shëndetin dhe ardhmërinë e fëmijëve të tyre”,- theksoi drejtori ekonomik i Klinikës Universitare të Fëmijëve, Ridvan Ibrahimi.
 
Mjetet u mblodhën falë përkrahjes së individëve, por edhe të institucioneve.
 
“Lejoni që kjo pikë në det të jetë pika e cila do të iniciojë valë e cila do të përhapet dhe do t’i valëzojë zemrat dhe mendimet e të gjithëve që në cilëndo mënyrë mund të kontribuojnë me veprat dhe veprimet e veta në ndërtimin e një bote më humane, një shoqërie më humane dhe jetës dinjitoze për të gjithë. Sytë e përlotura të fëmijëve dhembin dhe prekin njëlloj”,- tha kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi.
 
“Pikërisht fondacioni “Ti je një lule dielli” është një nga shembujt pozitivë, me atë që sinqerisht e njohin nevojën për një lloj të këtillë të mbështetjes”,- u shpreh ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
“Uroj që lumturia e fëmijëve të jetë misioni më i rëndësishëm i veprimit tonë individual dhe institucional, kurse në buzëqeshjen e tyre të gjejmë kuptimin e jetës që po e jetojmë”,- theksoi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Donacioni përbehet prej 10 pompave të infuzionit, 6 monitorëve, 2 aspiratorëve, 2 peshoreve, aparatit për kontrollim eko-sonografik dhe makinë për pastrim, për pavionin e Onko-hematologjisë, për ndjekjen në kushte bashkëkohore të  protokolleve intensive onkologjike për pacientët e vegjël.
 
GYLTENE SINANI