Maqedoni

Ndotja nga Spitali i Gjinekologjisë në Çair, Filipçe: Të premten plani për kaldajën e re

06.02.2019 18:41

Spitali i Gjinekologjisë “Nënë Tereza” në Çair, shumë shpejt do të ndryshojë sistemin e ngrohjes me mazut....

Deri të premten, Ministria e Shëndetësisë do t’i dorëzojë Qytetit të Shkupit planin për instalimin e sistemit të ri, për të cilin janë paraparë tashmë 12 milion denarë.
 
“Dokumentacioni është përpiluar dhe do të dorëzohet të premten. Çdo kërkesë tjetër eventuale do ta përpilojmë dhe ta dorëzojmë në afat sa më të shpejtë kohor. Mjetet e parapara për instalim të sistemit janë diku rreth 12 milionë denarë”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Qeveria ka miratuar ndërkohë edhe vendimin për përcaktimin e lokacionit të Qendrës së re Klinike. Gjorçe Petrov paraqet lokacion më të përshtatshëm dhe me kosto më të ulët në krahasim me dy lokacionet tjera të  përmendura nga grupi punues i formuar nga Ministria e Shëndetësisë, për përzgjedhje të lokacioneve adekuate.
 
“Në këtë lokacion leja e ndërtimit do të mund të nxirret më shpejt, puna ndërtuese gjithashtu do të jetë më e shpejtë. Në lokacionin e Zllokuqanit, një pjesë e parcelës është në pronë private dhe nëse kishim vendosur për atë lokacion, sigurimi i asaj toke do të kushtonte diku rreth 100 mijë euro dhe do të ngadalësonte procedurën",- theksoi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Shuma e paraparë për ndërtimin e kësaj qendre klinike do të jetë mes 430 deri 470 milion euro. Në ditët në vijim do të përcaktohet dhe burimi i mjeteve. Opsionet janë kredi nga Banka Botërore dhe të banka të tjera të huaja si dhe nga mjete të brendshme.
 
GAZMEND REXHEPI