Gruevski: paradigmë e re për emrin dhe identitetin. LSDM: e ardhmja jonë në NATO, e Gruevskit në burg
Ka reaguar nga azili edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski. Në një urim me nota ironike...

Ka reaguar nga azili edhe ish kryeministri, Nikolla Gruevski. Në një urim me nota ironike, Gruevski ka theksuar se pas situatës së sapokrijuar, është koha për një strategji të re nacionale.
“Maqedonia gjatë bisedimeve për emrin, hoqi dorë nga pothuajse gjithçka, ndërsa Greqia fitoi gjithçka. Pas kësaj situate të sapokrijuar, nevojitet një paradigmë e re për emrin dhe identitetin. Kjo paradigmë do të jetë baza mbi të cilën, pas largimit të qeverisë së kukullave, qeveria e re dhe Ministria e Punëve të Jashtme do të duhet të bëjnë një doktrinë të re”,- shkruan Gruevski.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i LSDM-së.
“11 vite krimineli Gruevski e ka mbajtur Maqedoninë në robëri, në izolim, vetëm me qëllimin për t’u pasuruar në llogari të qytetarëve dhe shtetit të varfër. Sot, kur Maqedonia ulet në karrigen e saj në aleancën më të fuqishme të sigurisë, krimineli Gruevski nga Budapesti lajmërohet me urdhra të reja për pengun, Hristijan Mickoski. Pa logjikë, Gruevski tenton t’i japë instruksione Mickoskit. Nuk do të kenë sukses, qytetarët i kanë mposhtur, nuk do ta kthejnë Maqedoninë në të kaluarën e errët të krimit, paqartësive dhe izolimit. E ardhmja e Maqedonisë është në BE dhe NATO, e ardhmja e kriminelit Gruevski është në burg, në mbajtjen e dënimit që gjykata ia ka caktuar”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
