Futboll

Akti i dytë mes Atletiko Madridit dhe Real Madridit

22.08.2014 15:21

Dy skuadrat më të famshme të kryeqytetit spanjoll Real dhe Atletico i rikthehen sërish Superkupës së Spanjës, trofeut të parë sezonal në vendin iberik...

Vetëm tre ditë pas takimit të vajtjes radhën tashmë e ka sfida e kthimit, dhe klubi mbretëror është i shtrënguar të bëjë më mirë sesa rezultati 1-1 i ndeshjes së parë.
 
Në vendin iberik tashmë fenomeni Atletico është shndërruar në realitet dhe falë mënyrës së lojës, stilit, taktikës efikase, kolektivitetit dhe harmonisë në ekip apo qoftë edhe lojës fizike gati – gati në limit, bardhekuqtë konfirmojnë se në këtë sport paratë nuk janë gjithçka.
 
Kur James Rodriguez përshëndeti rrjetën në 81’ të gjithë menduan se Atletico aq e pat por një gol i mesfushorit Raul Garcia 2’ para fundit bën që bardhekuqve në ndeshjen e sontme  t’iu mjaftojë për të mos pësuar gol, thjesht kaq.
 
Armët e tyre të forta janë kundërzbritjet e shpejta dhe goditjet standarte. Funksionoi në ndeshjen e fundit dhe ka funksionuar edhe më parë, kështuqë nuk ka asnjë arsye përse Diego Simeone të dëgjojë kritikët dhe të ndryshojë strategji.
 
Në krahun tjetër në pamje të parë Reali ngjan vërtet me një ekip spektakolar, por deri më tani skuadra merengues ka fituar vetëm 1 nga 6 ndeshjet e këtij fillim sezoni, atë ndaj Seviljes në Superkupën Europiane.
 
12 muaj më parë Atletico e humbi këtë trofe ndaj Barcelonës thjesht për efekt të rregullit të golit në fushë kundërshtare e po me këtë rregull të artë Reali fitoi titullin e fundit në këtë aktivitet 2 vjet më parë, pikërisht ndaj katalanasve.
 
Përsa i përket Atleticos bardhekuqtë janë mundur në 4 pjesëmarrjet e fundit në këtë kompeticion dhe nuk e fitojnë Superkupën e Spanjës prej tre dekadash, praktikisht që nga viti i largët 1985 kur mundën Barçën me rezultatin e përgjithshëm 3-2.
 
Takimi do të luhet në orën 22:30 në “Vicente Calderon” dhe këtë herë nuk do të jetë më një katalanas por Federata Spanjolle i ka ngarkuar gjykimin e ndeshjes një arbitri nga Andaluzia, 41-vjeçarit Fernandez Borbalan.