Botë

Kushtetuesja anulon zgjedhjen e Mustafës

22.08.2014 15:24

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, ka vlerësuar se zgjedhja e Isa Mustafës në postin e kryeparlamentarit në seancën e 17 korrikut, ishte jokushtetuese...

Sipas njoftimit të publikuar në ueb faqen e saj zyrtare, Gjykata me shumicë votash vendosi që mbledhja e Kuvendit të Kosovës dhe procedura e ndjekur aty pas pezullimit të seancës konstituive nga kryesuesja, Flora Brovina, për shkak të mungesës së kuorumit përbën shkelje të Kushtetutës. 
 
Sipas Gjykatës, vazhdimi i seancës nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përbën shkelje të nenit 67 pika 2, në lidhje me nenin 64 pika 1 të Kushtetutës dhe Kapitullin III të Rregullores së Punës së Kuvendit që zbaton këto nene.
 
Për shkak të këtyre shkeljeve, Gjykata ka konstatuar se vendimi i Kuvendit për zgjedhjen e Isa Mustafës kryeparlamentar, është jokushtetues si për nga procedura e ndjekur, ashtu edhe për nga përmbajtja.
 
Kjo, pasi sipas Gjykatës Kushtetuese, nuk ishte grupi më i madh parlamentar ai që propozoi kryetarin e Kuvendit dhe rrjedhimisht votimi është i pavlefshëm. Me këtë pikë të konstatimit, Gjykata ka konfirmuar se grupi më i madh parlamentar në Kuvend është ai i PDK-së. 
 
Gjykata Kushtetuese ka konstatuar gjithashtu se seanca konstitutive e Kuvendit nuk është realizuar plotësisht, pasi nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit.
 
Rrjedhimisht, Kushtetuesja ka kërkuar që Kuvendi të përfundojë seancën, duke zgjedhur përfaqësuesit e këtyre posteve në pajtim me Kushtetutën dhe rregulloren e punës, si dhe në pajtim me këtë aktgjykim.