Maqedoni

Rasti “Sazdovski”, Raufi: vdekja, pasojë e goditjes në kuti; Shehtanski: vdekja, pasojë e rrahjes

07.02.2019 18:57

Trupi gjykues së bashku me palët në gjykimin për rastin e vdekjes së të riut, Nikolla Sazdovski, dolën në vendin e ngjarjes...

Gjatë rikonstruimit, ata dëgjuan të akuzuarit, Besir Bela dhe Skender Demiri, se si ka ndodhur rrahja dhe ku është alivanosur tanimë i ndjeri, Nikolla Sazdovski.
 
Pala e dëmtuar thotë se vdekja e të riut Sazdovski ka ndodhur si pasojë e goditjeve që ka marrë nga të akuzuarit, ndërkohë avokatët e mbrojtjes thonë se bëhet fjalë për vepër penale “pjesëmarrje në dhunë” dhe sipas tyre, vdekja është shkaktuar nga rënia në kutinë e EVN-së që ndodhet në vendin e ngjarjes. 
 
“U vu në pah edhe nga të dëshmitarët, por edhe nga të akuzuarit se praktikisht i ndjeri Nikolla ka humbur jetën nga rënia në kutinë e EVN-së. Të gjithë pa hamendje konstatuan se ka pasur goditje dhe me pjesën e pasme është përplasur në kuti dhe praktikisht nuk mund të bëhet fjalë për vrasje dhe vepër për vrasje, por një rast shkollor i veprës penale dhunë me pasojë vdekje për fat të keq”,- tha  avokati i mbrojtjes, Naser Raufi.
 
“Përralla e mbrojtjes për një kuti fantazmë të metalit sot ra në ujë. Fillimisht nuk ekziston kuti metali, ajo është kuti e plastifikuar dhe nuk mund të shkaktojë kurrfarë pasojash, megjithatë edhe nga deklaratat e dëshmitarëve dhe eksperti qartë shihet se pasojat janë nga goditjet që kanë zgjatur nga 1 deri në një minutë e gjysmë”,- tha avokati i palës së dëmtuar, Vanço Shehtanski.
 
Rikonstruimi është bërë me kërkesë të avokatëve të mbrojtjes, Naser Raufit dhe Asmir Alispahiçit. Avokati Raufi tha se lënda do t’u kthehet ekspertëve të obduksionit, që sipas rikonstruimit të tregojnë se a ka ndodhur vdekja si pasojë e rënies në kutinë e EVN-së.
 
I ndjeri, Nikolla Sazdovski, u shtrua në spital pas një sulmi në një nga stacionet e autobusëve dhe më pas ndërroi jetë.
 
NAIM RAMADANI