Maqedoni
Bojkoti në “Marija Kiri Skolldovska”, institucionet: bojkotimi është absurd
08.02.2019 16:02
Nxënësit dhe profesorët maqedonas të shkollës së mesme “Marija Kiri Skollodovska” edhe sot vazhduan me bojkot të mësimit...

Ata janë kundër emërimit të ri të drejtorit shqiptar.
Ky bojkot nga ana e tyre vjen pak ditë pasi Qyteti i Shkupit për ushtrues detyre emëroi Blerim Nebiun, profesor i psikologjisë po nga kjo shkollë.
Me arsyetimin se kanë një përvojë jo të mirë me paralelet në gjuhën shqipe, profesorët dhe nxënësit sot fare nuk u paraqitën në shkollë.
Nga udhëheqësia e kësaj shkolle nuk pranuan të prononcohen para mediave, ndërsa për zhvillimet e fundit thanë se do të informojnë opinionin ditëve në vijim.
Edhe nga autoritete kompetente theksojnë se emërimi i Nebiut është bërë duke respektuar të gjitha procedurat ligjore.
“Kam emëruar ushtrues të detyrës drejtor të shkollës së mesme të kimisë. Ai i plotëson të gjitha procedurat ligjore. Nuk mendoj se ka hapësirë për revoltë ose çfarëdo lloj triumfalizmi në këtë rast. Nuk do të lejoj që politika të futet në shkolla, si kryetar i qytetit nuk do të lejoj një gjë të tillë. Të gjitha kushtet ligjore për kryerjen e detyrës ai i plotëson. Apeloj t’i normalizojnë marrëdhëniet dhe procesin e arsimit për shkak se nuk kemi nevojë për krijim të situatave për të cilat vërtet nuk kemi hapësirë”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Bojkoti në fjalë është nxitur nga prindërit dhe profesorët të cilët emërimin e drejtorit shqiptar e vlerësuan akt historik.
ZEKIRIJA MEXHITI
