Maqedoni
Fruthi mori viktimën e parë, Filipçe: Vetëm imunizimi parandalon infektimet
08.02.2019 16:31
Regjistrohet viktima e parë nga fruthi. Foshnja gjashtëmuajshe nga Kumanova ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm nga fruthi në Klinikën për Sëmundje Infektive...

Foshnja nuk ka mundur t’i përballojë sëmundjes për shkak të komplikimeve të mëdha si rezultat i temperaturës së lartë. Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi se foshnja nuk ka qenë e vaksinuar kundër fruthit dhe për fat të keq ka ndërruar jetë nga komplikimet të cilat kanë pasuar si rezultat i pneumonisë së fortë.
“Foshnja fillimisht është mjekuar në Spitalin e fëmijëve në Kozle dhe më pas është transferuar në Klinikën infektive, ku mjekët fatkeqësisht nuk kanë mundur që t’i tejkalojnë komplikimet. Shpresoj se trendi i imunizimit tek fëmijët kundër fruthit do të vazhdojë, sepse është mënyra e vetme që mundëson ngritjen e imunitetit kolektiv pas rënies së vaksinimit në vitin 2014. Dhe tani për fat të keq ne po përballemi me pasojat”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Ministri Filipçe tha se edhe dy fëmijë të tjerë të infektuar nga morbilet janë në gjendje kritike, por që tani për tani parametrat vitale të organizmit janë në gjendje stabile. Ministri i shëndetësisë edhe një herë potencoi nevojën e imunizimit të rregullt të fëmijëve si alternativë e vetme për të parandaluar jo vetëm fruthin, por dhe infektime të tjera.
REJHAN BUSHI METAJ
