Maqedoni
Kuvendi votoi përbërjen e re të Komisionit për parandalimin e korrupsionit
08.02.2019 17:00
Me 65 vota “për” dhe 10 “të përmbajtur”, Kuvendi votoi kryetarin dhe anëtarët e ri të Komisionit për Parandalim të Korrupsionit...

Ky institucion është me rëndësi jetike për të pasur një shoqëri demokratike, andaj është shumë me rëndësi që anëtarët e zgjedhur të punojnë me përkushtim dhe pa bërë selektime, vlerësojnë deputetët.
Nga LSDM thonë se ata jo vetëm deklarativisht, por edhe praktikisht angazhohen për të pasur një komision të denjë për të parandaluar dhe hulumtuar korrupsionin në Maqedoni.
“Kemi vullnet të sinqertë dhe serioz për luftë kundër dëmit të quajtur korrupsion. I vendosëm themelet dhe i formuam instrumentet. Treguam se vullneti ynë për atë luftë nuk është deklarative, por është reale dhe serioze”,- tha Jovan Mitrevski nga LSDM.
Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, ndonëse përkrahu përbërjen e re të Komisionit, tha se procedura për zgjedhje nuk kaloi pa dhënë një shije të hidhur.
“Jam i bindur që Komisioni për intervjuim dhe Komisioni për zgjedhje dhe emërim, parlamentit ia ka bërë propozimin më të mirë të mundshëm. Por, në të njëjtën kohë nuk mund të mos e them këtu para jush shijen e hidhur që ka krijuar jo vetëm tek unë por edhe tek opinioni në bazë të reagimeve të cilat kanë arritur deri te unë, fakti që një profesor universitar nga UT, prej përfaqësuesve të sektorit civil ka marrë pikët minimale”,- tha Xhevat Ademi nga BDI.
Deputetët e VMRO-DPMNE-së u shprehën se i kanë drojet e veta sa i përket përzgjedhjes së përmbajtjes së re të Komisionit për Anti-Korrupsion, por marrë parasysh rëndësinë e këtij institucioni, ata votuan të përmbajtur.
“Anëtarët tanë në Komisionin për Zgjedhje dhe Emërime morën pjesë në të gjithë procedurën, maksimalisht në mënyrë konstruktive dhe të shkathët. Nuk duam që të jemi jokonstruktiv por do të donim që me votimin tonë në mënyrë të përmbajtur të tregojmë një rezervë të caktuar në kuadër të segmenteve të jopropocionalitetit dhe me vlerësimin e pasinqertë”,- tha Nikolla Micevski nga VMRO-DPMNE.
Kryetare e Komisionit për Anti-Korrupsion u zgjodh Biljana Ivanovska, kurse për anëtare u zgjodhën Vlladimir Georgiev, Sofka Pejovska Dojçinovksa, Nuri Bajrami, Katica Nikollovka, Goran Trpenovski dhe Shemshi Sallai.
ERSAN PAJAZITI
