Maqedoni
Parlamenti grek pritet të ratifikojë Protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO
08.02.2019 17:19
Sonte deri në mesnatë pritet që edhe zyrtarisht Greqia ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO...

Sonte deri në mesnatë pritet që edhe zyrtarisht Greqia ta ratifikojë Protokollin për anëtarësim të Maqedonisë në NATO, me çka edhe përfundimisht Republika e Maqedonisë do të marrë emrin e saj të ri Republika Maqedonia e Veriut, e cila doli si rezultat i Marrëveshjes së Prespës.
Kjo procedurë e protokollit, që duhet të ratifikohet nëpër të gjitha 29 vendet anëtare të NATO-së, po fillon pikërisht nga vendi i cili 11 vite ka bllokuar Maqedoninë për t’u bërë anëtare e kësaj organizate dhe e cila ka vazhduar ta mbajë gjallë termin “Jugosllavi”, pikërisht tek Maqedonia.
Ky ratifikim në Parlamentin grek ka hasur në kundërshtim të ashpër nga ana e opozitës greke, të cilët fuqimisht mbrojnë tezën dhe Maqedonia duhet të mbetet jashtë Aleancës së NATO-s.
Jorgos Kumucakos nga “Demokracia e Re” në fjalimin e tij në Parlamentin grek pohoi se sot për Greqinë po mbyllet një cikël historik që prej 11 viteve, që filloi me krenari, ndërsa po përfundon me kapitullim.
“Integrimi në NATO është rezultati i parë i prekshëm pozitiv konkret nga marrëveshja për Shkupin. Me të drejtë festojnë. Me të drejtë festojnë, kur kanë siguruar njohje prej jush në gjuhën dhe identitetin maqedonas, ndërsa tani sigurojnë edhe anëtarësim në NATO. Vijon edhe procesi për hapjen e negociatave për Bashkimin Evropian, ku siç tha edhe Micotakis, ne nuk do ta lëshojmë të drejtën e vetos”,- deklaroi Jorgos Kumucakos nga Demokracia e Re.
Kundërshtarë të fuqishëm të kësaj marrëveshje janë edhe opozitarët, Kirijakos Micotakis dhe kreu i Grekëve të Pavarur, Panos Kammenos, të cilët kanë bërë me dije se do t’i përjashtojnë nga grupet e tyre parlamentare “6 deputetët e konsideruar si tradhtarë që mbështesin qeverinë e Ciprasit”.
Por, Nikos Toskas nga Siriza ka pohuar se kjo është një mundësi që të mbyllet një çështje e hapur për vite.
“Me ratifikimin e protokollit po i realizojmë interesat tona që këtë shtet fqinjë ta kemi më afër nesh, sesa më afër dikujt tjetër. Patjetër duhet t’i mbyllim dallimet në Ballkan dhe me atë të përballemi për suverenitetin tonë që na kanoset nga Lindja”,- tha Nikos Toskas nga SIRIZA.
Për të kaluar ky ratifikim do të duhet të sigurohet vota e 151 deputetëve, ku vetëm partia Siriza ka 145, ndërsa hapësirën tjetër prej 6 deputetëve duhet ta plotësojnë 4 deputetët e pavarur dhe 2 deputetë të partisë së Grekëve të Pavarur.
Pas këtij ratifikimi, Maqedonia edhe zyrtarisht bëhet Republika Maqedonia e Veriut, ndërsa pastaj Maqedonia do të duhet që t’i lajmërojë të gjitha shtetet e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare se emri i tyre i ri kushtetues do të jetë Republika Maqedonia e Veriut.
FITIM KRYEZIU
