Maqedoni
“Titanik 2”, PSP kërkon vendim gjyqësor me dënim
08.02.2019 18:09
Lënda gjyqësore “Titanik 2” për parregullsitë zgjedhore ka hyrë në fazën përfundimtare...

Prokurorja speciale, Fatime Fetai, kërkoi nga gjykata që të akuzuarit, Sasho Mijallkov, Menduh Thaçi dhe ish anëtarët e KShZ-së të shpallen fajtorë.
Sipas prokurores Fetai, dëshmitë e prezantuara gjatë gjithë periudhës së gjykimit e konfirmuan ndikimin me paramendim të ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, dhe liderit të PDSh-së, Menduh Thaçi, ndaj ish anëtarit të KShZ-së, Bedredin Ibraimi, me qëllim që t’i mundësohet kandidatit të VMRO-DPMNE-së për kryetar të Strumicës të mbetet në garën edhe në rrethin e dytë në zgjedhjet lokale të 2013-s.
“Kur e kanë parë se i kanë humbur zgjedhjet në Strumicë, VMRO – DPMNE i ka angazhuar të gjitha kapacitetet logjistike. Me fuqinë e tij dhe ndikimin real, Mijallkov, si kreu i DSK-së, ka kontaktuar Thaçin, i cili i ka thënë Bedredinit të votojë për anulimin e rezultateve të zgjedhjeve në tre vendvotime dhe në këmbim të anulohen vota elektorale në Çair”,- ka thënë Fetai.
Prokuroria Speciale i ndjek ish anëtarët e KShZ-së për parregullsi zgjedhore, në bazë të nenit 353 nga Kodi Penal gjegjësisht për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Mijallkov ngarkohet në bazë të Nenit 359 apo marrje të shpërblimit për ndikim kundër ligjor. Të akuzuarit fjalën përmbyllëse do ta japin më 19 shkurt.
NAIM RAMADANI
