Botë

Shqipëri, Nishani kthen reformën territoriale

22.08.2014 16:44

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kthen në Kuvend reformën e re territoriale...

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, kthen në Kuvend reformën e re territoriale, e cila parashikon shkurtimin në masë të njësive vendore në Shqipëri.
 
Kreu i Shtetit, e ka argumentuar dekretin e tij më të fundit, se ndarja e re administrative nuk është konsultuar me qytetarët, gjithashtu as propozimet e vendeve nuk janë marrë parasysh, ndërsa e konsideron me tej këtë reformë të vonuar. 
 
Presidenti ka hedhur vërejtje edhe në drejtim të mënyrës se si është bërë ndarja e re e territorit, duke theksuar se cenohen parimet e decentralizimit të pushtetit vendor. Reforma e ndarjes administrativo-territoriale, sipas kreut të Shtetit, duhej të ishte paraprirë medoemos me përshtatjet e duhura në kuadrin ligjor, konkretisht me ndryshimet përkatëse të Kodit Zgjedhor. Kjo domosdoshmëri, sipas tij, vjen për faktin se jemi një vit para zgjedhjeve lokale.
 
Si përfundim, Nishani shprehet se ky Ligj shkel parimet kushtetuese të Shtetit të së drejtës, decentralizimit të pushtetit vendor dhe të autonomisë vendore.
 
Pas vendimit për kthimin e reformës territoriale, ka reaguar kryeministri, Edi Rama, i cili ritheksoi për herë të dytë se Ligjet e kthyera do të rivotohen në seancën e parë plenare të sesionit të ri. 
 
Ndërsa kryetari i opozitës, Lulzim Basha, hodhi akuza se treshja Rama-Meta Kokëdhima nuk përfaqësojnë interesat e qytetarëve, duke i cilësuar si përfaqësues të krimit.
 
LULJETA NDOKA