Maqedoni
Ademi, nuk dënojmë arsimtarët, përmirësojmë arsimin
22.08.2014 17:38
Arsimtarët në shkollat fillore dhe të mesme, të cilët i janë nënshtruar vlerësimit ekstern vitin e kaluar shkollor 2012- 2013...

Arsimtarët në shkollat fillore dhe të mesme, të cilët i janë nënshtruar vlerësimit ekstern vitin e kaluar shkollor 2012- 2013 dhe që kanë arritur rezultate të dobëta, nuk do të dënohen në rrogë.
Ketë risi për TVM 2 e publikoi ministri i resorit, Abdylaqim Ademi, sipas të cilit këta arsimtarë do t’i nënshtrohen vetëm këshillimeve për përmirësimin e cilësisë së punës së tyre.
“Nuk do të ketë dënime dhe shpërblime për arsimtarët që janë ranguar dobët, por do të ketë këshillime nga këshilltarët e Byrosë për Zhvillimin e Arsimit”- deklaroi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi.
Por, kjo nuk do të vlejë për arsimtarët që janë radhitur keq për këtë vit shkollor. Rang-lista e tyre do të publikohet nëpër shkolla javën e dytë të muajit shtator dhe për këtë do të ketë dënime dhe shpërblime të arsimtarëve sipas suksesit të treguar në punë.
“Lista, e cila publikohet në shtator dhe vitin e ardhshëm, do të jetë listë e cila do të ketë shpërblime dhe ndëshkime dhe në bazë të Ligjit, nëse një arsimtar gjendet në listë tre vite radhazi, do t’i rrezikohet vendi i punës dhe do të dënohet 15 %”- theksoi ministri Ademi.
MASH, ka rikthyer mekanizëm për të eliminuar notimin joreal të nxënësve apo 5-shet me hatër, prandaj qëllimi i tij nuk është dënimi i arsimtarëve, por avancimi i procesit mësimor.
“Qëllimi kryesor nuk është që dikush të dënohet, por qëllimi kryesor është ngritja e cilësisë së arsimit dhe vlerësimit objektiv të nxënësve”- potencoi Ademi.
Rezultatet nga vlerësimi ekstern, arsimtarët mund t’i shohin në ueb faqen zyrtare të MASH-it, në: mon.gov.mk.
FLUTURA LATIFI
