Hahn: Nëse zbatoni reformat, bisedimet këtë vit

10.02.2019 15:40

Euro komisari për Zgjerim, Johannes Hahn deklaron se nëse Maqedonia përmbush obligimet....

Euro komisari për Zgjerim, Johannes Hahn deklaron se nëse Maqedonia përmbush obligimet e saj në procesin reformues, bisedimet për antarësim në BE do të nisin që këtë vit.

Në një intervistë për Agjencinë Informative të Maqedonisë, Hahn u shpreh i bindur se vendet anëtare të BE-së,  në qershor, do ta vlerësojnë suksesin e madh që vendi ynë ka arritur.

“Kuptohet se duhet të ketë progres të dukshëm në zbatimin e agjendës reformuese,  në të cilën duhet të fokusohen gjitha përpjekjet. Nëse suksesi historik i marrëveshjes së Prespës është i shoqëruar nga reforma solide, e mesa e  shoh,  Qeveria synon të arrijë këtë, jam i bindur se shtetet anëtare do të japin dritë të gjelbër për hapjen e negociatave që këtë vit. Në pyetje është edhe kredibiliteti i BE-së, pasi nëse shtetet kandidate i përmbushin kriteret, atëherë edhe ne duhet patjetër që t’i përmbushim premtimet tona”, deklaron  Hahn.

MARRËVESHJA E PRESPËS, HAHN:HAPI I DUHUR DREJT INTEGRIMIT EUROPIAN

Edhe pse bëhet fjalë për dy procese të ndara, me kushte të specifikuara dhe procedura për secilën nga dy organizatat, për Hahnin procesi në NATO dhe BE në mënyrë paralele sjell më shumë stabilitet dhe paqe dhe bazohen në të njëjtat principe, sundimin e së  drejtës dhe demokracinë.

“Marrëveshja e Prespës, që i hapi rrugën nënshkrimit të protokollit në NATO, po ashtu është hap drejt integrimit evropian, për shkak se strategjia jonë për Ballkanin Perëndimor, është shpallur vjet dhe ajo definon pajtimin dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore si kushte për të hyrë në BE”, ka deklaruar Hahn për AIM.

Eurokomisioneri për zgjerim, edhe një herë përshëndeti nënshkrimin e protokollit për NATO-n dhe zgjidhjen e kontestit me Greqinë si hap që vendos integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë së Veriut e që do të kontribuojë për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe Europës. (Rexhep Qamili, TVM2)