Siri, nis ofenziva, ISIS reziston në enklavën e fundit
Shteti islamik, më saktë ajo çfarë ka mbetur prej tij...

Shteti islamik, më saktë ajo çfarë ka mbetur prej tij, po u bën rezistencë të ashpër forcave demokratike siriane të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që nisën sulmin ndaj enklavës së fundit të kontrolluar nga militantët e dhunshëm islamikë në lindje të Sirisë, pranë kufirit me Irakun.
Një zëdhënës i SDF-së i tha Associated Press se ata që po mbrojnë fortesën e mbetur të ISIS-it në vend, janë xhihadistët më me eksperiencë. NIsja e ofenzivës u vendos pas një pauze më shumë se një javore, që duhet t’u lejonte 20.000 civilëve largimin nga zona, fushëbeteja është fshati kufitar Baghuz.
Forcat demokratike siriane janë një aleancë kurdësh, paraushtarakësh arabë e asirianë dhe turkmenësh. Pavarësisht humbjeve të thella që ka pësuar, ISIS, sipas OKB-së, ka ende 14.000 deri në 18.000 militantë në Irak e në Siri, 3000 nga të cilët janë të huaj.
