Maqedoni

Viktima e tretë nga fruthi, vdes nga komplikimet foshnja 14-muajshe

11.02.2019 13:27

Epidemia e fruthit ka marrë jetën e tretë. Bëhet fjalë për një foshnje 14-muajshe nga fshati Pallaticë e Tetovës...

Epidemia e fruthit ka marrë jetën e tretë. Bëhet fjalë për një foshnje 14-muajshe nga fshati Pallaticë e Tetovës, që mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup.

Viktima e dytë që ndërroi jetë nga fruthi ishte nga Sveti Nikolla. Bëhet fjalë për një foshnje 13-muajshe të pavaksinuar.

Ajo është dërguar në Klinikën e Shkupit  nga Sveti Nikola, me komplikime të shkaktuara nga fruthi, por ka pasur problem shtesë të mëhershme shëndetësore.

Gjatë gjithë kohës në Klinikën Infektive në Shkup, ka paraqitje të rasteve të reja me fruth. Ministria e Shëndetësisë bën apel për vaksinim të fëmijëve.

“Ministria e Shëndetësisë shpreh keqardhje që këto fëmijë janë viktimë e epidemisë së fruthit, sëmundje e cila mund të parandalohet me vaksinim. Edhe njëherë apelojmë deri te të gjithë prindërit, me përgjegjësi t’i kuptojnë rekomandimet për vaksinimin me vaksinën MRP, e cila mbron seriozisht nga sëmundjet ngjitëse”,- thuhet në njoftimin e Ministrisë, nga e cila përkujtojnë se vaksinat janë falas, me cilësi evropiane dhe të afatizuara.

Të shtunën nga fruthi ndërroi jetë edhe një foshnje 6-muajshe nga Kumanova.

Në Klinikën për sëmundje infektive në Shkup, vetëm dje u  regjistruan edhe pesë raste të reja. Numri i të hospitalizuarve ka arritur në rreth 30.