Maqedoni

Fruthi, shënohet viktima e tretë, Karaxhoski: Vaksinoni fëmijët se mund të pendoheni

11.02.2019 15:18

Një foshnje 13-muajshe nga Tetova është viktima e radhës nga fruthi, e cila ka ndërruar jetë në Klinikën e fëmijëve.....

Sipas mjekëve, foshnja nuk ka qenë e vaksinuar dhe nuk ka vuajtur nga ndonjë sëmundje kronike. Foshnja është hospitalizuar muajin e kaluar nga një tjetër sëmundje për një kohë të shkurtër, ku sipas të gjitha gjasave është infektuar nga fruthi. Epidemiologët apelojnë të rritet numri i vaksinimit në mënyrë që të pengohet përhapja e sëmundjes. 
 
“Fëmija ka qenë mirë me shëndet deri më 21 janar. Nga kjo datë është shtruar për një kurim të vogël në Klinikën e sëmundjeve të fëmijë, me ç’rast është infektuar, ndërkaq ka ndërruar jetë më 10 shkurt, saktësisht para 19 ditëve. Inkubacioni zgjat nga 11 deri në  21 ditë. Nga mosmarrja e vaksinave i vëni fëmijët tuaj në rrezik, po bëni diçka që mund të pendoheni tërë jetën”,- deklaroi epidemiologu, Zharko Karaxhoski.
 
Epidemia e fruthit nuk ka të ndalur, vetëm mbrëmë kanë kërkuar 7 persona trajtim mjekësor në Klinikën për sëmundje infektive dhe tre prej tyre janë hospitalizuar, ndërsa në kurim spitalor ndodhen 26 pacientë. Mjekët thonë se fëmijët me sëmundje kronike janë më të rrezikuar dhe më vështirë e përballojnë sëmundjen. 
 
Nga fillimi i epidemisë rreth 200 pacientë janë prekur nga fruthi.  
 
VLORA LATIFI TOPOJANI