Kulturë

Ministria e Kulturës shqyrton aplikacionet e refuzuara, Ivanovski: Është bërë padrejtësi e madhe

11.02.2019 15:53

Në Ministrinë e Kulturës, të gjitha komisionet profesionale të veprimtarive të veçanta sot i kanë shqyrtuar të gjitha aplikacionet që ishin refuzuar në konkurset vjetore për vitin 2019....

Nga Ministria e Kulturës sqarojnë se vendimet për projektet e refuzuara do të anulohen, do të shqyrtohen sërish nga fillimi dhe nëse përcaktohen parregullsi, lista e projekteve do të plotësohet. Ndërkohë, jashtë Ministrisë së Kulturës  aplikuesit të cilët ishin refuzuar shprehën revoltën e tyre. 
 
“Kolegët sa vite e vite punojnë dhe e mbajnë folklorin maqedonas, siç janë “Orce Nikollov”, “Koço Racin” dhe “Vapçarov”. Të gjitha këto nuk kanë marrë mjete financiare për punë. Ndërsa kemi bërë krahasime ku shoqatave maqedonase u janë ndarë mjete rreth 2 milion denarë, ndërsa ansambleve shqiptare u janë ndarë rreth 4 milion denarë. Këtu është bërë padrejtësi e madhe”,- deklaroi përfaqësuesi i Lidhjes së Ansamblit folklorik të Maqedonisë, Bllagoja Ivanovski.
 
Në konkursin vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për vitin 2019 janë paraqitur 5560 aplikues për projekte, prej të cilëve 2781 janë pranuar. Ndërsa shqyrtimi i të gjitha aplikacioneve që janë refuzuar vjen si pasojë e reagimeve të VMRO-DPMNE-së, shoqatave dhe mediave lidhur me publikimin e rezultateve të konkursit.
 
REJHANE BUSHI METAJ