Maqedoni
Deskoska: sipas ligjit, baxhanaku nuk është familje. Mançevski: punësimet t’i hetojë anti-korrupsioni
11.02.2019 16:43
Përbërjes së re të Komisionit kundër korrupsionit duhet t’i lëmë kohë që të fillojë me punë e më pas të bëjmë vlerësime...

Përbërjes së re të Komisionit kundër korrupsionit duhet t’i lëmë kohë që të fillojë me punë e më pas të bëjmë vlerësime nëse është bërë përzgjedhja e duhur, apo ka pasur diçka tjetër në prapavijë.
Kështu ka deklaruar ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska, e cila nuk sheh kurrfarë shkelje ligji në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Komisionit anti-korrupsion, në mesin e të cilëve është edhe Nuri Bajrami - baxhanaku i kryeparlamentarit, Talat Xhaferi.
Shikuar juridikisht kjo nuk paraqet lidhje familjare, thekson ministrja e drejtësisë.
"Shikuar juridikisht, lidhjet familjare deri në këtë nivel nuk janë përfshirë, por edhe po të ishin përfshirë, nuk paraqet shkelje formale të ligjit, sepse procedura ishte ligjore. Mbetet që Komisioni anti-korrupsion ta kryej apo jo punën me vetëdije dhe nderë, ashtu siç parasheh ligji",- tha ministrja e drejtësisë, Renata Deskoska.
Deskoska theksoi se komisioni tani ka edhe obligime shtesë, të vlerësojë furnizime publike, financimin e partive politike, apo fushatën parazgjedhore.
Ndërkohë, ministri i administratës, Damjan Mançevski, i pyetur nëse zyrtarë të qeverisë kanë punësuar të afërmit në administratë, tha se komisioni në fjalë duhet të kontrollojë nëse ka pasur nepotizëm gjatë punëve.
"Sot është e çuditshme kur punësohet ndonjë simpatizues i pushtetit, ku të shkojnë këta njerëz, ta lëshojnë shtetin? Tani ka Komision kundër korrupsionit dhe tërë ajo që mendohet se është problematike, duhet të dorëzohet parashtesë dhe le të vendoset për atë në komision",- tha ministri i shoqatës informatike dhe administratës, Damjan Mançevski.
Këto prononcime u bënë gjatë nënshkrimit të memorandumit për bashkëpunim mes Ministrisë së Administratës, Ministrisë së Drejtësisë dhe Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë.
Qëllimi i memorandumit është përforcimi dhe përparimi i aplikimit konzistent të Ligjit për procedurë të përgjithshme administrative dhe Ligjit për konteste administrative, që del nga misioni vlerësues i Komisionit Evropian, për drejtësi administrative.
GYLTENE SINANI
