Maqedoni

Rasti “27 prilli”, mbrojtja kërkon pafajësi për Angellovskin dhe Jugun

11.02.2019 17:16

Pala mbrojtëse e të akuzuarit, Gorançe Angellovski, i njohur si “Qoseto”, në procesin gjyqësor për rastin “27 prilli”...

Pala mbrojtëse e të akuzuarit, Gorançe Angellovski, i njohur si “Qoseto”, në procesin gjyqësor për rastin “27 prilli” në fjalën përfundimtare, ka kërkuar që i akuzuari Angellovski të shpallet i pafajshëm. Avokati i tij, Dragan Peshevski, tha se prokuroria nuk ka arritur të dëshmojë fajësinë e tij.
 
Sipas tij, Angellovski nuk i ka shpërndarë maskat për personat të cilët kanë hyrë më 27 prill dhunshëm në Kuvend dhe nuk i ka marrë hard disqet për t’i shlyer gjurmët nga kamerat e sigurisë së Kuvendit. 
 
 “Gjatë procedurës së provave u dëshmua e kundërta. Pas dëshmive të vëllezërve Mlladenovski, të amnistuar u qartësua se ata kanë shkuar dhe kanë siguruar maskat, ndërsa lidhur me disqet e vjedhura është e qartë se i njëjti nuk shkon pas disqeve por vetëm lëviz nëpër atë korridor, prandaj kërkojmë aktvendim gjyqësor për pafajësi”,- tha avokati i mbrojtjes, Dragan Peshevski.
 
Edhe avokati i Igor Jugut në fjalën përmbyllëse ka kërkuar lirimin e tij nga akuza. Ai tha se nuk janë të vërteta deklaratat e dëshmitarëve se i akuzuari ka mbajtur revole. 
 
“Revole gjatë prezantimit të provave nuk pamë, absolutisht as nga video-materialet dhe gjithçka mbeti në supozime boshe si thashetheme nga dëshmitarët që ishin të propozuar nga prokuroria. Çfarë pistolete!? Ju a keni parë diku armë? Madje as prokurori në fjalën përmbyllëse nuk tha se bëhet fjalë për pistoletë, por një mjet të hirtë në të errët”,- theksoi avokati i mbrojtjes, Ninosllav Jakimovski.
 
Procesi gjyqësor për rastin “27 prilli” në Gjykatën Penale vazhdon duke dhënë fjalët përfundimtare mbrojtja, me ç’rast edhe të akuzuarit do të mund të japin mendimin e tyre rreth dëshmive në procesin gjyqësor.
 
NAIM RAMADANI