Maqedoni
Qeveria largon mbishkrimin e vjetër, prej sot “Republika Maqedonia e Veriut”
11.02.2019 17:31
Ndryshimi i mbishkrimeve dhe tabelave të organeve shtetërore me emrin e ri kushtetues nisën nga dita e hënë.

Përpjekjet në këtë drejtim i nisi Qeveria e Maqedonisë, e cila gjatë mëngjesit nga objekti i saj hoqi mbishkrimin “Qeveria e Maqedonisë” për ta zëvendësuar atë të martën me emrin e ri kushtetues përmes një ceremonie solemne ku do të ngrihet edhe flamuri i NATO-s përpara objektit qeveritar.
Tabelat hyrëse dhe mbishkrimet në afat prej shtatë ditësh do të duhet t’i ndryshojë edhe Kuvendi, ministritë si dhe objektet tjera shtetërore.
“Republika e Maqedonisë së Veriut” arriti edhe në pikën kufitare Bogorodicë që lidh Maqedoninë dhe Greqinë, por nga Ministria e Punëve të Jashtme përmes një kumtesë njoftuan se gjithçka pritet të zyrtarizohet pas notës verbale, që dy shtetet do ta njoftojnë OKB-në për ndryshimin e emrit dhe dhënien fund të kontestit disavjeçar mes dy shteteve.
Emri i ri i shtetit do të harmonizohet edhe me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, që nënkupton se tabelat e reja do të shkruhen edhe në gjuhën shqip.
Sa u përket dokumenteve personale me emrin e ri të shtetit, nga Qeveria njoftojnë se qytetarët në afat prej 5 viteve do të duhet t’i ndryshojnë të gjitha dokumentet me emrin e ri të shtetit.
Javën që lamë pas në Bruksel u nënshkrua Protokolli hyrës për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO nga ana e ambasadorëve të 29 vendeve anëtare.
ZEKIRIJA MEXHITI
