Maqedoni
ASh: Vazhdon epidemia e shpresëvrasjes të mjekëve të ri
12.02.2019 13:43
Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj fenomenit të emigrimit të mjekëve të rinj nga Maqedonia Veriore në dekadën e fundit...

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar ndaj fenomenit të emigrimit të mjekëve të rinj nga Maqedonia Veriore në dekadën e fundit, që sipas Ash-së, po merr përmasa të një epidemie me pasoja të paparashikueshme në shëndetësinë e popullatës në një të ardhme të afërt.
“Kjo vrasje e shpresës vazhdon në kontinuitet dhe rritet pas çdo konkursi për punësime të personelit mjekësor, për shkak të parregullsive dhe mosrespektimin e rezultateve nga testi e intervistat dhe për shkak të ndikimit të fortë nga partitë politike qeveritare, që edhe më tej do të rrisin shpresëvrasjen e rinisë dhe humbjen e kuadrit cilësor. Duke filluar nga konkurset e spitaleve të qytetit në Kërçovë, Manastir, Gostivar, “8 Shtatori” etj. ky fenomen përhapet pa kontroll dhe po përsëritet. Në Klinikën Universitare të Nefrologjisë në Shkup, janë pranuar tre mjekë dhe tre motra, asnjë shqiptar edhe pse ka pasur kandidat që plotësonte kushtet , duke pasur parasysh se kjo klinikë nuk ka asnjë mjek shqiptar. Skandali më i freskët ndodhi në Spitalin klinik në Tetovë, ku pas mbarimit të testit janë shpallur rezultatet dhe të nesërmen janë zhdukur duke shpallur rezultate të reja ku në listën e re ishin eliminuar kandidatët që kishin plotësuar kushtet e pranimit, duke futur kandidatë që nuk e kanë kaluar pragun e pikëve apo që fare nuk kanë konkurruar“, thuhet në reagimin e ASh-së.
Departamenti i Shëndetësisë pranë Aleancës për Shqiptarët, menaxhmentit të të gjitha spitaleve të prekura nga ky fenomen skandaloz ju apelon që urgjentisht të bëjnë revizion të këtyre parregullsive dhe të hapin dyert për më të mirët, duke respektuar përgatitjen profesionale e jo afërsinë me partitë politike qeveritare sepse kjo nuk përputhet me premtimet e dhëna për depolitizim absolut të shëndetësisë, sidomos në politikat kadrovike që do zbusin emigrimin në një të ardhme të afërt dhe t’i kthejmë mjekët tanë nëpër spitalet tona, ku edhe e kanë vendin’, thuhet në reagim.
