Spanjë, nis gjykimi i 12 udhëheqësve katalanas
Në Gjykatën Supreme të Madridit, ka nisur gjyqi i 12 udhëheqësve separatistë katalanas...

Në Gjykatën Supreme të Madridit, ka nisur gjyqi i 12 udhëheqësve separatistë katalanas, të përfshirë në një përpjekje për t'u ndarë nga Spanja në vitin 2017.
Të pandehurit - të cilët përfshijnë ish-ministra, ish-kryetarin e Parlamentit të Katalonjës dhe udhëheqës të organizatave pro pavarësisë - përballen me akuza si: rebelim, kryengritje dhe keqpërdorim i fondeve publike. Të gjithë ata i mohojnë akuzat kundër tyre.
Në Katalonjë, më 1 tetor të vitit 2017, është mbajtur një referendum, në të cilin shumica e atyre që kanë marrë pjesë, kanë votuar për pavarësi nga Spanja.
Parlamenti në Barcelonë më pas e ka shpallur rajonin autonom republikë të pavarur.
Megjithatë, në referendum pjesëmarrja ka qenë e ulët dhe ai është shpallur i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese e Spanjës.
Qeveria qendrore në Madrid ka shtrirë qeverisjen në rajon dhe disa udhëheqës katalanas kanë ikur nga vendi ose janë arrestuar.
