Flamuri i NATO-s ngjitet në shtizë para qeverisë, Zaev: Fillon era e re e Maqedonisë së Veriut
Me ceremoni të posaçme, Maqedonia ngjiti në shtizë para godinës së Qeverisë flamurin e NATO-s....

Me ceremoni të posaçme, Maqedonia ngjiti në shtizë para godinës së Qeverisë flamurin e NATO-s.
Akti ndodhi menjëherë pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës dhe marrjen e notës verbale nga Greqia, me të cilën njoftohet se janë tejkaluar të gjitha pengesat për dhënien fund të kontestit disadekadësh për emrin me Republikën e Maqedonisë.
Kryeministri, Zoran Zaev, tha se qytetarët e Maqedonisë po hapin një faqe të re të historisë.
“Të gjithë mund të jemi krenarë që e jetojmë kohën e re, erën e ndërtimit të shoqërisë demokratike”,- tha Zaev.
“Këto ditë e fillojmë etapën e radhës komplekse në ndërtimin e shtetit tonë sipas standardeve evropiane. Askush nga jashtë nuk do të na bllokojë. Me vendimet e Parlamentit tonë dhe vendimet e Parlamentit të Greqisë dhe me ftesën e vendeve anëtare të NATO-s, ne marrim pjesë në punën e Aleancës më të fuqishme në botë. Dhe, mund të jemi të qetë dhe të sigurt se me mbarimin e ratifikimeve në parlamentet e aleatëve tanë vendi ynë, i cili së shpejti do të mbajë emrin preciz gjeografik Maqedonia e Veriut, edhe zyrtarisht bëhet anëtarja e 30 e NATO-s me të drejtë vote”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
Zaev falënderoi qytetarët për përkrahjen që i dhanë këtij procesi në referendum. “Shumica dërmuese ishte e paluhatur për anëtarësim në Aleancën e NATO-s”- tha Zaev.
Ai shprehu mirënjohje për ish presidentët e Republikës, ish kryeministrat dhe të gjitha përbërjet parlamentare që kanë kontribuar në procesin e integrimit euroatlantik. Mirënjohje për aleatët e mëdhenj dhe mediatorin, Metju Nimic. Por, suksesi i tanishëm nuk duhet pranuar me eufori. Maqedonia, që tani, ka shumë punë për të bërë për të arritur standardet e NATO-s dhe BE-së.
“S’ka vend për eufori. Na pret punë serioze shumëvjeçare në zbatimin e reformave. Që të jemi të suksesshëm dhe të shpejtojmë proceset historike varet nga ne nëse do të jenë 6, 8 ose 10 vjet. Me përkushtimin e njëjtë si për Marrëveshjen e Prespës, të gjithë të përkushtohemi plotësisht për anëtarësimin në BE. Kjo nënkupton që të rregullojmë marrëdhëniet edhe në shtëpinë tonë, në familjen tonë, në atdheun tonë... Po ndodhin dhe do të intensifikohen edhe më shumë ndryshime sistemore në drejtim të asaj se si funksionojmë si institucione dhe si shoqëri. Sistemi ynë juridik duhet të ndajë drejtësi njësoj për të gjithë, pavarësisht përkatësisë etnike, statusit financiar ose përkatësisë politike. Zero tolerancë për korrupsionin”,- theksoi kryeministri, Zoran Zaev.
Maqedonia, si anëtare në NATO, do të dëshmojë politikën paqësore si zgjidhjen më të mirë për stabilitetin e vendit dhe rajonit. Zaev tha se Maqedonia do të kultivojë marrëdhëniet miqësore edhe me vendet që s’janë anëtare të NATO-s, duke aluduar kryesisht në Serbinë fqinje dhe në Rusinë, e cila hapur u deklarua kundër anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Në ceremoninë e ngritjes së flamurit të NATO-s nuk mori pjesë presidenti i Republikës, Gjorge Ivanov, presidenti i vetëm të cilit Zaevi nuk iu falënderua në fjalimin e sotëm. Mungoi edhe kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski; kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ai i ASh-së, Zijadin Sela, dhe Bilall Kasami i Besës.
Pas ngjitjes së flamurit të NATO-s para godinës së Qeverisë pritet të ngjitet edhe mbishkrimi me emrin e ri të vendit, Republika e Maqedonisë së Veriut, i cili gjithsesi duhet të jetë edhe në gjuhën shqipe.(Shpëtim Nuredini, TVM2)
