Stoltenberg: Zgjerimi i NATO-s rrit stabilitetin në Ballkan

12.02.2019 16:03

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se zgjerimi i NATO-s në vendet e Ballkanit Perëndimor...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi se zgjerimi i NATO-s në vendet e Ballkanit Perëndimor do ta forcojë Aleancën dhe do të ndihmojë në stabilizimin e rajonit dhe shteteve ballkanike.

Kështu deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, para takimit të këshillit të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare, ku për herë të parë do të marrë pjesë edhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.

“Të them se jam shumë i lumtur që për herë të parë në takimin ministror do ta përshëndesim kolegen tonë nga Shkupi, ministren Radmilla Shekerinska. Republika e Maqedonisë së Veriut tani ka ulësen në tryezën e NATO-s. Zgjerimi i NATO-s në vende të Ballkanit perëndimor e forcoi NATO-n, por njëkohësisht e stabilizoi Ballkanin perëndimor”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

Soltenberg njëherit theksoi se NATO kishte rol kyç në zgjidhjen e konflikteve, ndaljen e luftërave dhe në stabilizimin e Ballkanit. Ai tha se akoma ekzistojnë shumë pengesa dhe probleme, por është inkurajues fakti që kemi anëtare të Aleancës vendet si Kroacia, Shqipëria, Mali i Zi tani edhe Maqedoninë e Veriut.

Ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s të mërkurën dhe të enjten do të takohen në Bruksel, ndërsa një nga temat do të jetë edhe misioni i KFOR-it dhe bashkëpunimi i NATO-s me Ushtrinë e Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)