Maqedoni
Gashi: edhe pas rishqyrtimit, xhez festivali nuk i plotëson kushtet ligjore
12.02.2019 17:06
Pas disa reagimeve të artistëve dhe opinionit maqedonas për ndarjen e mjeteve në Ministrinë e Kulturës...

Pas disa reagimeve të artistëve dhe opinionit maqedonas për ndarjen e mjeteve në Ministrinë e Kulturës, me vendim të ministrit, Asaf Ademi, komisionet kanë filluar me rishqyrtimin e të gjitha aplikimeve të cilat ishin refuzuar paraprakisht.
Kryetari i Komisionit për muzikë dhe folklor, Pleurat Gashi, thotë se komisioni ka punuar në mënyrë transparente dhe në kuadër të ligjit.
Nga 100 aplikimet e shqyrtuara nuk janë vërejtur shkelje dhe parregullsi, por vetëm disa lëshime minimale teknike, thekson Gashi.
Ai po ashtu thotë se sa i përket festivalit që më së shumti bën bujë festivalit të xhezit, “Off Festival”, janë refuzuar pasi nuk kanë pjesën më të madhe të dokumentacionit të nevojshëm.
“Unë personalisht kam kërkuar nga zotëria në fjalë që t’i sjell dokumentet të cilat i mungojnë. Realisht i mungojnë shumë dokumente, nuk ka deklarata prej artistëve që marrin pjesë në festivalin e tij, nuk ka deklaratë prej hapësirave ku do t’i mban koncertet, nuk ka buxhet, nuk ka plan të aktiviteteve që ne të shohim, ta evidentojmë punën e mëparshme të këtij institucioni, nuk ka realisht bazë për ta përmbajtur”,- deklaroi kryetari Komisioni për muzikë dhe folklor, Pleurat Gashi.
Gjatë rishqyrtimit është pranuar vetëm Festivali i fëmijëve “Zllatno Sllavejçe”, pasi për të është konstatuar se gjatë shqyrtimit të parë komisioni ka bërë një lëshim teknik dhe i njëjti është korrigjuar.
Komisioni për muzikë dhe kulturë do të vazhdojë me rishqyrtimin e të gjitha 2000 aplikimeve të refuzuara.
Po ashtu kryetari i komisionit bëri të ditur se së shpejti do të publikohen në faqen e ministrisë të gjitha projektet që janë pranuar, por që ende nuk janë shpallur në faqen zyrtare të ministrisë.
Edhe Komisioni për veprimtari dramatike, arkitekturë dhe dizajn e ka përfunduar rishqyrtimin e aplikacioneve të refuzuara dhe nuk ka konstatuar lëshime.
REJHANE BUSHI METAJ
