Maqedoni
Fruthi, do të vaksinohen edhe foshnjat 6-muajshe
12.02.2019 17:30
Numri i të prekurve nga fruthi vazhdon të rritet. Gjatë 24 orëve të kaluara janë paraqitur edhe shtatë raste të reja...

Numri i të prekurve nga fruthi vazhdon të rritet. Gjatë 24 orëve të kaluara janë paraqitur edhe shtatë raste të reja, dy prej të cilave janë hospitalizuar.
Nga fillimi i epidemisë deri më tani numri i të prekurve nga fruthi është mbi 200, tre prej të cilëve kanë përfunduar me vdekje.
Autoritetet shëndetësore kanë vendosur që të vaksinohen edhe foshnjat me që kanë mbushur 6 muaj.
Komisioni për sëmundjet infektive propozoi Ministrinë e resorit të fillojnë me vaksinim nëpër shkolla.
Epidemiologët thonë se vetëm me imunitet kolektiv, me 95 për qind të popullatës së vaksinuar, mundet të parandalohet epidemia dhe vdekshmëria te kategoria më e ndjeshme, tek fëmijët.
Autoritetet shëndetësore thonë se katër fëmijë të infektuar nga fruthi janë në gjendje kritike. Një është hospitalizuar në klinikën e fëmijëve, ndërsa tre të tjerët në Klinikën e sëmundjeve infektive, ku mes tyre është një fëmijë me paralizë cerebrale, thonë nga Klinika për sëmundje infektive.
“Kemi disa fëmijë me pasqyrë më të rëndë klinike, kryesisht me pneumoni të komplikuar. Kemi pranuar edhe një fëmijë të moshës tre vjeçare me paralizë cerebrale, me epilepsi dhe me infeksione të shpeshta respiratore, ku mundet të pritet gjithçka. Fëmija është vendosur në terapi dhe janë marrë të gjitha masat e nevojshme dhe si do të zhvillohet pasqyra klinike do të shohim ditëve në vazhdim”,- deklaroi një mjek.
Nga Ministria e Shëndetësisë bëjnë të ditur se 6.548 fëmijë janë vaksinuar deri më tani nga Shkupi dhe vetëm sot deri në orën 13 janë vaksinuar 214 fëmijë. Ata apelojnë që qytetarët të cilët nuk janë të vaksinuar, të vaksinohen dhe t’i vaksinojnë edhe fëmijët e tyre.
VLORA LATIFI TOPOJANI
