Maqedoni

Flamuri i NATO-s para qeverisë, VMRO: me flamurin e NATO-s nuk fshihet krimi; LSDM: VMRO, simbol i nepotizmit. Presidenca: Ivanov u ftua pasi përfundoi ceremonia. BDI: Ahmeti mungoi për shkak të obligimeve

12.02.2019 17:43

Vendosja e flamurit të NATO-s para qeverisë nuk fsheh krimet dhe nepotizmin e qeverisë, reagojnë nga VMRO-DPMNE...

Vendosja e flamurit të NATO-s para qeverisë nuk fsheh krimet dhe nepotizmin e qeverisë, reagojnë nga VMRO-DPMNE pas ceremonisë së sotme përpara godinës së ekzekutivit.
 
Nga partia e Mickovskit reagojnë ndaj qëndrimeve të kryeministrit Zaev në aktin e ngjitjes së flamurit të NATO-s. Zëdhënësi i partisë thotë se ekzekutivi do të duhet të dorëhiqet pas nepotizmit dhe rrogave të majme që u ka ofruar familjarëve me punësimin nëpër institucionet.             
                                                          
“Është shumë simptomatike se si është e mundur që të gjithë të afërmit e funksionarëve të pushtetit pikërisht tani fitojnë shansin për punësim në institucionet dhe ndërmarrjet ku rrogat janë mbi 500 euro, e të cilat i premtonte Zoran Zaev para zgjedhjeve për rritje të pagës mesatare. Ndoshta ky është plani i LSDM-së për rritje të pagave në kurriz të qytetarëve. Kjo është maja e pafytyrësisë, nga e cila të gjithë qytetarët janë të tmerruar. Nëse do të kishit fije turpi, do të jepnit dorëheqje”,- deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-SË, Dimçe Arsovski.       
                                                 
Nga VMRO mungesën e liderit të tyre, Hristijan Mickovskit, në ceremoni e arsyetojnë me angazhimet që ka pasur edhe përkundër marrjes së ftesës në kohë. Kanë reaguar nga LSDM, të cilët kanë cilësuar VMRO-në si simbol të nepotizmit dhe partizimin e institucioneve shtetërore. 
 
“Pikërisht VMRO-DPMNE në tetor të 2012-ës, nëpërmjet një shpallje në Kombinatin e Xeheve dhe Energjetikës në Manastir punësoi 625 persona partiakë. Për dallim nga VMRO, sot punësimet janë ligjore, publike dhe transparente në përputhje me nevojat e institucioneve”,- thonë nga LSDM.   
           
Mungesën në ceremoninë e qeverisë e arsyetuan edhe nga presidenca të cilët njoftuan se ftesa për presidentin kishte mbërritur pas përmbylljes së ngjarjes.
 
Nga kabineti i Gjorge Ivanovit përgënjeshtrojnë informacionet e qeverisë se presidenti ka qenë i ftuar në mënyrën më korrekte. Ndërkaq lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, ka munguar pasi ftesën e ka marrë mbrëmë në kuvend dhe s’ka arritur që të shtyjë obligimet e sotme, thonë nga BDI.
 
MERAL ISMAILI