Maqedoni

Komisioni i Jashtëm në Kuvendin shqiptar, ratifikoi Protokollin për anëtarësim në NATO

12.02.2019 18:17

Komisioni i Jashtëm i Kuvendit të Shqipërisë ka votuar sot unanimisht protokollin që i hap dritën jeshile anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në NATO...

Si rrallëherë, politika shqiptare ka gjetur gjuhën e përbashkët për mbështetjen  e shtetit fqinj, pasi protokolli u votua dje me konsensus të ngjashëm edhe në Komisionin e Ligjeve.
 
Anëtarët e këtij komisioni kanë vlerësuar rëndësinë e këtij vendimi jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për Aleancën e Atlantikut të Veriut, e cila do të presë anëtarin më të ri të saj.
 
Pas dy votimeve unanime në Komisionin e Ligjeve dhe atë të Jashtëm, protokolli do të votohet ditën e enjte në parlament.
 
I pranishëm në seancë plenare do të jetë edhe kryeparlamentari i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Të njëjtin proces do ta kryejnë të gjitha vendet anëtare të NATO-s, ndërsa sipas rendit alfabetik, Shqipëria ishte e para.
 
LULJETA NDOKA