Maqedoni
Anketa me kompanitë: 65% të pakënaqura nga përkrahja shtetërore
12.02.2019 18:31
Bashkëpunimi mes sektorit të biznesit po rritet, por ekonomia e zezë, ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe procedurat...

Bashkëpunimi mes sektorit të biznesit po rritet, por ekonomia e zezë, ndryshimet e shpeshta të ligjeve dhe procedurat e stërzgjatura gjyqësore janë disa nga shkaktarët e vështirësive në punën e kompanive vendore, thonë kompanitë në anketën lidhur me klimën e biznesit në vend.
Anketa ishte iniciuar nga USAID-i me katër Odat ekonomike më aktive në vend. 65% e të anketuarve janë shprehur të pakënaqur me përkrahjen shtetërore ndaj bizneseve.
“Ky vit është viti më i rëndësishëm i ekonomisë nga qeveria dhe paralelisht me procesin e anëtarësimit në BE, ky fakt do t’i motivojë sipërmarrësit për të përshpejtuar investimet e tyre dhe do të ketë rritje dhe zhvillim më të mirë ekonomik”,- deklaroi Drilon Iseni nga OEMVP.
“Bashkëpunimi i fortë midis sektorit publik dhe atij privat është i rëndësishëm për krijimin e një mjedisi për biznes, që do të mbështesë dhe inkurajojë rritjen ekonomike. Një komunitet i fortë dhe i gjallë i biznesit të vogël është thelbësor për të ndërtuar shtyllën e çdo ekonomie dhe i bëj thirrje të gjithëve këtu që t’i përkushtohen zhvillimit dhe prioritizimit të këtij sektori të rëndësishëm në shoqëri”,- tha përfaqësuesi i Zyrës së USAID-it në Maqedoni, Greçen Birkll.
Rezultatet tregojnë se krahasuar me dy vitet e fundit, informacioni lidhur me përputhshmërinë ligjore është rritur gradualisht midis kompanive.
Në përputhje me këtë, në vitin 2018, rezultatet treguan një trend pozitiv prej 35% krahasuar me vitin 2016, ku kompanitë raportuan rritje të niveleve të përfshirjes në zhvillimin e rregullimit të biznesit.
Në përgjithësi, kompanitë besojnë se në tre vitet e fundit vendi ka rritur konkurrueshmërinë rajonale në garë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
SEDAT SELIMI
