Maqedoni

5 raste të reja me fruth, në dy klinika anulohet “termini im”

13.02.2019 15:14

Edhe 5 raste të reja të fruthit janë regjistruar të martën në Klinikën Infektive në Shkup, dy u pranuan në spital për trajtim të mëtejmë.....

Aktualisht, një fëmijë është në gjendje të rëndë shëndetësore, dy fëmijë të tjerë të moshës 6-muajshe janë vendosur në respiratorë në Klinikën  e sëmundjeve të fëmijëve për shkak të komplikimeve të mushkërive të bardha të shkaktuara nga fruthi.
 
Për të parandaluar përhapjen e mëtejme të epidemisë, autoritetet shëndetësore vendosën të anulojnë të gjitha terminet e kontrollit në Institutin për sëmundjet e mushkërive dhe në Klinikën e sëmundjeve të fëmijëve. Po diskutohet edhe nëse anulimi i  termineve do të bëhet edhe për klinikat e tjera. 
 
“Ekspertët e më shumë fushave rekomanduan këtë masë, marrë parasysh vendet më kritike ku prindërit sjellin në kontrolle fëmijët e tyre. Vendosëm që masa të  zbatohet në këto dy institucione, pasi në çdo orë marrim informata të reja në lidhje me pacientë të ri të prekur nga fruthi. Do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme, madje edhe masa shtesë që të parandalohet kjo epidemi”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Një ndër masat është edhe zbatimi i vaksinimit nëpër shkolla si dhe vaksinimi i të gjitha foshnjave që kanë mbushur 6 muaj. Nga Organizata botërore e shëndetësisë thonë se masat janë në drejtim të duhur. 
 
“Punojmë me udheheqësinë në këtë sektor, ndërsa përgatitet protokolli i duhur, mund të them se jeni në rrugën e vërtetë”,- tha Hans Klluge nga OBSh. 
 
Ministri Filipçe është optimist se masat e ndërmarra do të përforcojnë imunitetin kolektiv ndaj fruthit. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI