Maqedoni

Komisioni për parandalimin e korrupsionit, Bajrami: Nuk jam në shërbim të partive politike

13.02.2019 15:54

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit mbajti seancën e parë pas zgjedhjes së anëtarëve të rinj....

Në këtë seancë, sipas sistemit të lotarisë, zëvendëskryetar i komisionit u zgjodh Nuri Bajrami, përzgjedhja e të cilit u bë pjesë e një debati rreth nepotizmit. Bajrami nuk sheh asgjë kontestuese në përzgjedhjen e tij si anëtar i anti-korrupsionit. Edhe komisioni vërtetoi se në bazë të ligjit, por edhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, lidhja familjare mes Bajramit dhe kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, nuk paraqet ndeshje të interesave.
 
Bajrami tha se nuk i shërben asnjë partie politike dhe se nga momenti i zgjedhjes si anëtar i këtij Komisioni, për të nuk ekzistojnë lidhjet familjare apo miqësore, që do të mund të ndikonin në kryerjen e obligimeve. Ftoi mediat që të ndjekin punën e tij e në rast të konstatimit të ndonjë parregullsie, nuk e ka problem të japë dorëheqje, por se të njëjtën nuk do ta bëjë për atë që e cilësoi  "shou" aktual. 
 
“Unë personalisht ju garantoj se nuk jam këtu përmes linjës partiake, nuk jam lidhje e dikujt. Bashkëshortja ime punon në sektorin privat, ndërsa djali im është jashtë vendit, për këtë që po ndodh në Maqedoni, nuk jam këtu t’u shërbej partive politike. 10 vitet e fundit përmbahem rreptësisht nga ajo që me askënd të mos komunikoj. Nuk dua t’ju bind por duhet të mbaroj ky shou që Komisioni të fillojë me punë. Më mbani për fjalë, nga dita e zgjedhjes, për mua nuk ka lidhje familjare, nuk ka miqësi, nuk mund të ndikojë askush, ndërsa nëse vërtetohet ajo, atëherë jap dorëheqje”,- deklaroi zëvendëskryetari i Komisionit për parandalimin e korrupsionit, Nuri Bajrami.
 
Anti-korrupsioni do të shqyrtojë edhe rastet e fundit të punësimeve familjare të funksionarëve të publikuar nga mediat. Aktualisht te ky komision deri tani akoma nuk është dorëzuar asnjë parashtresë. 
Kryetarja e Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska, tha se do të hetojnë edhe rastet lidhur me ndarjen e mjeteve nga Ministria e Kulturës, si dhe më herët skandalin me mjetet në Fondin për inovacione. 
 
“Deri më tani nuk ka arritur parashtresë, megjithatë ligji na mundëson që ne me vetëiniciativë të hetojmë atë dhe ne këtë do ta bëjmë. Do të kërkojmë që të na e dorëzojnë dokumentacionin e plotë për procedurat e punësimit, ndërsa pas hetimit dhe analizës tonë, publiku do të informohet. Ne planifikojmë të shqyrtojmë të gjitha rastet ku do të paraqiten lëndë me elemente korruptive”,- tha kryetarja e Komisionit për parandalimin e korrupsionit, Biljana Ivanovska.
 
Në seancën e parë të Komisionit anti-korrupsion u diskutua për aktivitetet për  fushatën e ardhshme zgjedhore. Anëtarët e Komisionit u zotuan se në mënyrë transparente dhe të përgjegjshme do të monitorojnë fushatën zgjedhore.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI