Presidencialet, Ademi: Do të shqyrtojmë kandidatin konsensual me LSDM-në

13.02.2019 16:13

Partitë politike shqiptare në heshtje rreth publikimit të ndonjë emri të mundshëm për kandidat për president...

Partitë politike shqiptare në heshtje rreth publikimit të ndonjë emri të mundshëm për kandidat për president.

BDI në takimin e radhës të partisë do të shqyrtojë kandidatin e mundshëm, i cili do të ishte konsensual me LSDM-në. Arbër Ademi thotë se kandidati konsensual për të dyja palët do të ishte opsioni i duhur për të mirën e vendit.

“Ne jemi kundër kandidatëve të cilët burojnë nga kongreset e njëanshme partiake, ne jemi për kandidat i cili do të ketë pajtimin, dakordësimin, ujdinë e dy komuniteteve më të mëdha në vend dhe rrjedhimisht edhe të komuniteteve të tjera. Ne me vetë faktin që thamë se do të shkojmë me kandidat vetanak, pat reflektim nga partneri i koalicionit. Unë uroj që të të gjejmë një kandidat të përbashkët, se është në të mirën e vendit”,- deklaroi Arbër Ademi nga BDI.

SHABANI: KANDIDATI KONSENSUAL, ME KRITERE TË QARTA

Opozita shqiptare po shqyrton mundësinë e kandidatit të përbashkët.  Edhe pse akuzuan BDI-në se nuk i ka ftuar zyrtarisht për gjetjen e kandidatit të përbashkët, BESA opozitare konsideron se bashkëpunimi me BDI-në do të duhet të bëhet në bazë të kritereve të qarta.

“Me partinë e BDI-së, nëse gjejmë gjuhë të përbashkët ta gjejmë, ta detektojmë, vetëm duhet shumë qartë t’i formojmë kriteret dhe në bazë të kritereve të selektojmë kandidatin shqiptar. Nëse nuk mund ta gjejmë kandidatin shqiptar, a do të duhet të zgjidhet kandidat maqedonas, të njëjtën gjë ne do të duhet ta përcaktojmë, se cilat janë ato kriteret indikatorët çka ne si shqiptarë mund të identifikohemi me kryetarin e ardhshëm të shtetit”,- tha Arafat Shabani nga Lëvizja Besa.

DAUTI: VOTA E SHQIPTARËVE, NË BLLOKUN SHQIPTAR

Aleanca për Shqiptarët konsideron se vota e shqiptarëve do të duhet të mbetet në bllokun politik shqiptar.

“Votat e shqiptarëve, mbetemi në qëndrimin që duhet të mbeten në bllokun shqiptar. Do të duhet të ketë kandidat pse jo të përbashkët midis partive politike shqiptare në qoftë se kjo do të ishte serioze vetëm e vetëm që vota e shqiptarëve të faktorizohet që të jenë vendimmarrëse pikërisht edhe në raundin e dytë, atëherë kur ka mundësi”,- theksoi Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët.

LSDM në kongresin e partisë më 14 shkurt, ndërkaq VMRO-DPMNE në kongresin e 3 marsit do të shpallin kandidatët për president. 21 marsi është afati i fundit kur deri tek KShZ do të duhet të dërgohen kandidaturat e të gjitha partive. Deri atëherë u mbetet edhe partitë shqiptare të caktojnë kandidatët e presidencialeve të 21 prillit. (Meral Ismaili, TVM2)