Maqedoni

Ndryshimi i dokumenteve personale, Boshnjakovski: dokumentet aktuale vlejnë 5 vjet

13.02.2019 16:30

Maqedonia ka njoftuar tashmë Kombet e Bashkuara se vendi ynë tani e tutje do të përdorë emrin e ri, sipas marrëveshjes me Greqinë...

Në institucionet në Maqedoninë e Veriut kanë filluar procedurat për ndërrimin e dokumenteve personale, emrave të institucioneve dhe gjithçka tjetër që parashihet në Marrëveshjen e  Prespës.
 
“Qytetarëve në dalje nga pikat kufitare do t’u jepen ngjitëse regjistruese të cilat do të jenë me iniciale NMK, derisa të ndërrohen dhe targat e veturave. MPB targat e reja do të fillon t’i dorëzojë nga muaji maj. Afatet për ndërrim të dokumenteve të udhëtimit janë të qartësuara në Marrëveshjen e Prespës. MPB është e gatshme që të bëjë ndërrimet e dokumenteve të udhëtimit, presim që deri në fund të vitit të dorëzohen dokumentet e para, por sipas Marrëveshjes së Prespës, afati për ndërrim të dokumenteve është paraparë brenda 5 viteve”,- deklaroi zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
GAZMEND REXHEPI