Maqedoni
Efikasiteti energjetik, Kopaç: paratë i ndatë, ngecët me aktet nënligjore. Ligji për Energjetikë, mazhoranca: për herë të parë janë bërë përparime. VMRO-DPMNE: ku mbeti menaxhimi i rezervave të naftës
13.02.2019 17:13
Edhe përkundër progresit në reformat në energjetikë dhe transpozimin e legjislacionit pas miratimit të ligjit në vitin e kaluar...

Edhe përkundër progresit në reformat në energjetikë dhe transpozimin e legjislacionit pas miratimit të ligjit në vitin e kaluar, ende ka vonesa në përgatitjen e akteve nënligjore që pamundësojnë implementimin e planit për prodhimin e energjisë elektrike nga burimet alternative edhe pse vendi për këtë ka buxhetin më të madh në rajon.
Deri në fund të prillit duhet të përgatitet dhe dërgohet në Sekretariatin evropian plani i ri i veprimit për efikasitet energjetik.
“Maqedonia ka ndarë 42 milionë euro në vit për të mbështetur burimet e ripërtërishme të energjisë, shuma më e lartë në rajon. Por, gjëja më e rëndësishme është të prezantohen opsionet që janë tashmë në ligj dhe aktet nënligjore duhet të miratohen në javët e ardhshme. Kjo duhej bërë shumë më herët”,- deklaroi drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopaç.
Deputetët e shumicës parlamentare thonë se kanë bërë punë për t’u përshëndetur, por opozita vlerëson se nuk ka vend për lëvdata, sepse kritikat janë shumë serioze. Sipas tyre, më problematike është se Qeveria ende nuk ka caktuar kompensim për ruajtjen e rezervave të naftës.
“Për herë të parë po flasim për disa përparime. Kemi miratuar Ligjin e ri të Energjisë, aktet nënligjore që janë duke u përgatitur dhe janë përpara zbatimit”,- tha Hari Lokvenac nga LSDM.
“Puna ne që kemi bërë brenda këtyre 2 viteve është për t’u përshëndetur. Ne si deputetë kemi përgjegjësi ta kryejmë punën që duhej në kuvend, ne si komision duhej te kemi debat publik për t’i parë pyetjet lidhur me ligjin”,- u shpreh Rexhail Ismaili nga BDI.
“Një sasi e caktuar e rezervave të naftës ruhen për vitin e 5 dhe nuk menaxhohen nga askush. Këto rezervuarë nuk restaurohen aspak dhe njohësit e situatës thonë se nëse nuk rinovohen të paktën dy herë në vit, ata humbasin cilësinë e tyre, përdorimi i tyre, karburantet pa trajtim të duhur, do të jenë të dëmshme për transportin dhe ajrin”,- tha Dragan Cuklev nga VMRO.
Pas kritikave nga deputetët, Kopac deklaroi se shumë akte ligjore janë miratuar dhe shumë pjesë të ligjeve janë zbatuar. Edhe pse Kopac pranoi se disa gjëra në ligj mungojnë, ai është optimist se gjithçka do të rregullohet gjatë periudhës së ardhshme.
REJHANE BUSHI METAJ
