Maqedoni

Shtyhet gjykimi për rastin “Titanik”, Temelko i sëmurë, Dimovski në udhëtim zyrtar

13.02.2019 17:28

Gjykimi për parregullsitë zgjedhore në rastin “Titanik” të hapur nga PSP, u shty për më 27 shkurt...

Gjykimi për parregullsitë zgjedhore në rastin “Titanik” të hapur nga PSP, u shty për më 27 shkurt për shkak se dy nga të pandehurit nuk ishin në gjendje të marrin pjesë në gjykim.
 
Dje gjykata u informua edhe zyrtarisht se i akuzuari, Edmond Temelko, nuk mund të marrë pjesë në seancë për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, ai për momentin gjendet në spitalin e Strugës.
 
Edhe i pandehuri, Ilija Dimovski, ka njoftuar gjykatën se prej 13 deri më 21 shkurt është në udhëtim zyrtar në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në cilësinë e shefit të delegacionit të Kuvendit. 
 
Prokurorja, Lile Stefanovska, përkujtoi Dimovskin të ketë kujdes me pranimin e ftesave, pasi është hera e dytë që mungon në gjykimet e paracaktuara më herët me arsyetimin pikërisht se është në udhëtim zyrtar. Në gjykatë nuk u sollën nga arresti shtëpiak as të akuzuarit, Munir Pepiq dhe Mile Janakievski. 
 
Në lëndën “Titanik” të akuzuar të tjerë janë edhe ish kryeministri Gruevski, që ka fituar azil në Hungari, Kiril Bozhinovski, Gordana Jankullovska, Munir Pepiq, që bashkë me 12 të pandehur të tjerë, dyshohen për shoqërim kriminel, shkelje të së drejtës së votimit, shkelje të lirisë së përcaktimit  të votuesve, ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit, shkatërrim i materialit zgjedhor dhe keqpërdorim i mjeteve për financim të fushatës zgjedhore të vitit 2012.
 
GAZMEND KURTISHI