Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, LSDM: jo zgjedhje, por përqendrim në reforma. VMRO-DPMNE: LSDM, fajtori kryesor për ngecjen e reformave. BDI: që në fillim kemi thënë se ky është vendimi i duhur
13.02.2019 17:42
Këshilli ekzekutiv i LSDM-së autorizoi kryetarin e partisë, Zoran Zaev, sekretarin gjeneral dhe sekretarin organizativ...

Këshilli ekzekutiv i LSDM-së autorizoi kryetarin e partisë, Zoran Zaev, sekretarin gjeneral dhe sekretarin organizativ, të bëjnë konsultime me partnerët e koalicionit dhe me partitë tjera, që të arrijnë deri te një kandidat konsensual për president të shtetit.
LSDM vendosi se vendi nuk ka kohë për të humbur me zgjedhje të parakohshme parlamentare në një kohë kur qytetarët kërkojnë rezultate në ekonomi, reforma dhe integrime.
“Tanimë jemi pjesë e NATO-s, presim datën e bisedimeve me BE-në dhe realizim të reformave të nevojshme. Partia e përgjegjshme dhe pushteti i përgjegjshëm nuk do ta rrezikonte këtë mundësi. Nuk do ta rrezikonte datën për fillimin e bisedimeve me BE-në, me zgjedhje të parakohshme dhe ndërprerjen e reformave”,- tha Konstandin Konstandinov nga LSDM.
Por, VMRO thotë se Zaev dhe partia e tij ikin si frikacakë nga zgjedhjet sepse kanë frikë përballjen me popullin. Akuzojnë LSDM-në se është fajtorja kryesore për ngecjen e reformave.
“Arsyetimi i tyre se do të ngadalësohen proceset eurointegruese është vetëm mbulesa ku fshihet dështimi i tyre. Me këtë largim nga zgjedhjet, LSDM dhe Zaev tregojnë se nuk kanë mbështetjen e qytetarëve”,- theksoi Naum Stoillkovski nga VMRO-DPMNE.
BDI përshëndet qëndrimin e ndryshuar të LSDM-së për zgjedhjet e parakohshme. Përkujtojnë se integristët që në fillim kanë deklaruar se për vendim shumë më me rëndësi do të jetë marrja e datës për fillimin e bisedimeve me BE-së sesa realizimin e zgjedhjeve.
“Ne si subjekt që nga fillimi jemi të paluhatur se ky do të ishte vendimi më i drejtë për vendin. Gjatë kësaj kohe na presin detyrime të mëdha të cilat i kemi deri në marrjen e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim me BE-në në muajin qershor. Ne e përshëndesim edhe vendimin që kanë marrë për sa i përket një kandidati konsensual, për çka BDI është angazhuar që nga viti 2014”,- tha deputeti i BDI-së, Artan Grubi.
Liderët e dy partive tashmë janë takuar, por në këtë fazë bisedimesh mes BDI-së dhe LSDM-së nuk janë përmendur emrat konkretë, por vetëm modaliteti i zgjedhjes.
Grubi thotë se dhe pa marrë parasysh se cili do të zgjidhet, e rëndësishme është që i njëjti të jetë i pranueshëm për të gjitha subjektet politike, pa marrë parasysh pozitë apo opozitë.
FITIM KRYEZIU
