Maqedoni
Maqedonia e Veriut ulet në tryezën e NATO-s. Stoltenberg: moment historik për vendin tuaj. Sheqerinska: do të dëshmohemi në vepra
13.02.2019 18:32
Pas nënshkrimit të protokollit nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut...

Pas nënshkrimit të protokollit nga ambasadorët e vendeve anëtare të NATO-s, Republika e Maqedonisë së Veriut përherë është përfaqësuar në takimin ministror të këshillit veri-atlantik.
Sekretari i përgjithshëm, Jens Stoltenberg, tha se ngritja e flamurit të NATO-s para qeverisë së Maqedonisë së Veriut është një akt i madh, por ajo ditë do të jetë edhe më e madhe kur të përfundojë ratifikimi i plotë nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës.
“Është kënaqësi t’ju kemi këtu për herë të parë për të marrë pjesë si e ftuar në takimin ministror. Është kënaqësi që nuk do t’ju thërras me emrin e gjatë, por me emrin e ri të vendit tuaj Republika e Maqedonisë së Veriut. Ky është një moment i shkëlqyeshëm për të gjithë ne. E vlerësojmë progresin që keni bërë. Pa vendosmërinë dhe lidershipin tuaj dhe të qeverisë suaj, nuk do të mund të ishim këtu ku jemi sot, në këtë takim të ministrave të mbrojtjes. Pashë se dje ngritët flamurin e NATO-s në selinë e qeverisë dhe ne do të bëjmë të njëjtën gjë, duke ngritur flamurin tuaj në ambientet e jashtme të NATO-s së bashku me 29 vendet e tjera”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, tha se vendi do të mbetet i përkushtuar në zbatimin e përgjegjësive.
“Dëshmuam se mundemi të gjejmë vendime të drejta dhe ky është shpërblimi, jo vetëm për mua dhe qeverinë, por për të gjithë qytetarët. Më lejoni që t’ju shpreh respektin që Qeveria dhe qytetarët kanë për ju, sepse pa vendosmërinë dhe mbështetjen tuaj ne nuk do të ishim sot këtu së bashku me ju. Jam këtu të ju them besimin tonë të thellë se ne mund të përkushtohemi dhe të ndjekim me vepra për stabilitetin e përbashkët dhe për të kontribuar për NATO”,- theksoi ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska.
Pas ratifikimit nga të gjitha vendet anëtare të Aleancës, Maqedonia e Veriut do të jetë anëtarja e 30 fuqiplotë e NATO-s.
NAIM RAMADANI
