Super kupa e Spanjës për Atletikon
Superkupa e Spanjës shkon për Atletikon e Madridit. Skuadra e Diego Simeones mundi 1-0 rivalët e përjetëshëm të Realit në finalen e dytë, duke marrë trofeun e parë sezonal........

Mund të jetë skuadra që ka shpenzuar më shumë në merkato, por të besuarit e Ançelotit kanë kuptuar se duhet të bëjnë më shumë për t’i marrë titullin kampion Atletikos në sezonin e ri të kampionatit spanjoll.
Pas barazimit 1-1 në finalen e parë, në atë të kthimit vendasit vulosën suksesin pa u plotësuar minuta e dytë, pasi Mandzukiç tregoi menjëherë se blerja e tij nga Bajerni I Mynihut është një tjetër gjetje e Simeones. Më pas, Reali kërkoj të barazojë shifrat, por pa rezultat. Minutat kaluan, ndërsa nervat tradhëtuan Simeonen, që u largua nga fusha pas protestave dhe u desht të drejtojë skuadrën e tij nga tribuna.
Në pjesën e parë nuk pati gol tjetër, megjithëse Atletiko kishte mundësi të dyfishojë shifrat. Në të dytën, Reali u kthye në fushë me Kristiano Ronaldon, por edhe portugezi nuk arriti të ndihmojë skuadrën e Ançelotit.
Në fund, goli i Mandzukiçit I mjaftoi Atletikos, që festoi trofeun e parë sezonal në futbollin spanjoll. Një sinjal i rëndësishëm ky i skuadrës së Diego Simeones, që megjithë largimet e shumta, konfirmoi se do të jetë një nga forcat edhe në kampionatin e ri të Primera Division.