Botë

IN MEMORIAM: Ndërron jetë akademiku, Idriz Ajeti

13.02.2019 18:57

Sot në Prishtinë, në moshën 102 vjeçare, ka ndërruar jetë albanologu, pedagogu dhe ish kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Idriz Ajeti...

Idriz Ajeti ligjëroi në katedrën e albanologjisë në Beograd, themeloi Katedrën e albanologjisë në Prishtinë, ku ligjëroi dhe u bë kreu i saj.
 
U bë dekan i Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë, rektor i Universitetit të Prishtinës, punonjës shkencor dhe drejtor i Institutit Albanologjik, themelues dhe drejtor i Seminarit për Gjuhë, Letërsi e Kulturë Shqiptare. Anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe kryetar i kësaj Akademie. 
 
Akademik Ajeti ka merita të veçanta në proceset e standardizimit të shqipes. Drejtoi Konsultën Gjuhësore në Prishtinë dhe ishte njëri nga protagonistët e Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë.
 
Ai ishte një nga studiuesit më të mëdhenj të historisë së gjuhës shqipe, studimet e veta i botoi në një seri monografish shkencore, të paraqitura edhe në nivel të librave universitarë e shkollorë.  Mentoroi studentë e studiues të shqipes, shqiptarë dhe të huaj. 
 
Idriz Ajeti ishte në ballë të veprimtarëve për të drejtat kombëtare të shqiptarëve në Kosovë. Si bashkëpunëtor i afërm i Ibrahim Rugovës, ai u bë një protagonist i lëvizjes pavarësiste të Kosovës. Ishte një nga autoritetet e mëdha të kësaj lëvizjeje dhe u zgjodh kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës (1998). 
 
Akademik Idriz  Ajeti ka qenë po ashtu pjesëmarrës i Konferencës së Rambujesë. Me një mbledhje kokemorative, akademia e shkencave e Kosovës ka përkujtuar sot veprimtarinë e akademikut Ajeti.