Botë

Stoltenberg: FSK nuk mund të hyjë në veri pa pajtimin e NATO-s

13.02.2019 19:32

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ripërsëritur se Forca e Sigurisë së Kosovës...

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka ripërsëritur se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojë në veri pa pajtimin e NATO-s dhe këtë qëndrim e ka të qartë edhe lidershipi i Kosovës.

Sipas tij, Kosova i ka ofruar NATO-s një protokoll të ri të operimit për gjithë vendin pa dallim, në të nuk ka ndarje veri dhe jug.

“Marrëveshja e Brukselit të 2013 thotë qartë se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk mund të shkojë në veri pa pajtimin e komandantit të KFOR-it. Ne presim që kjo marrëveshje të jetë ende e vlefshme, ende zbatohet.  NATO do të mbetet në Kosovë me KFOR-in, prania e KFOR-it është e rëndësishme për stabilitetin në Kosovë dhe në të gjithë rajonin. Ne kemi lloje të ndryshme të mbështetjes për ndërtimin e kapaciteteve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, të cilat nuk janë pjesë e misionit të KFOR-it, por janë aktivitete të NATO-s jashtë saj. Ne do të trajtojmë nivelin e këtij angazhimi bazuar në faktin se shumë aleatë besojnë se vendimi për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës ishte e pamatur dhe për këtë arsye ne duhet të adresojmë nivelin e angazhimit tonë”,- ka deklaruar sekretari i Aleancës Veri-Atlantike në prag të fillim të samitit dyditor të ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s, ku të enjten do të diskutohet edhe për marrëdhëniet e NATO-s me FSK-në pas vendimit Kosovës për transformimin e FSK-së në ushtri.