Aksident në autostradën Shkup-Tetovë, autobusi del nga rruga, 13 të vdekur

13.02.2019 20:46

Si pasojë e një aksidenti të rëndë, 13 persona kanë ndërruar jetë në autostradën Shkup-Tetovë....

Si pasojë  e një aksidenti të rëndë, 13 persona kanë ndërruar jetë, kurse mbi 30 të tjerë janë të lënduar, disa prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Sipas zv.ministrit  të  shëndetsisë Asim Musa, 7 pacientë kanë ndërruar jetë në vend ngjarje, kurse 5 të tjerët nuk kanë mundur t’ju bëjnë ballë lëndimeve dhe kanë ndërruar jetë në spitale. 

Menjëherë pas marrjes së lajmit për aksidentit, është angazhuar i gjithë shërbimi shëndetësorë, në mënyrë që t’u dalë në ndihmë të lënduarve.

“Në spitalin 8 shtatori janë pranuar 25 pacientë, 22 pacientë janë të hospitalizuar, 3 janë me lëndime më të vogla dhe sipas të gjitha gjasave do të lëshohen në mjekim shtëpiak. 4 pacientë ndodhen në kujdes intensiv, ndaj dy personave përgaditet intervenim kirurgjikal.  Në qendrën urgjente janë pranuar 5 pacientë, 3 janë me lëndime më të lehta, një nga ata pacientët është një grua shtatzëne, edhe ajo do të lëshohet në mjekim shtëpiak, ndaj një pacienti do të kryhet intervenim kirurgjikal, kurse pacienti i pestë është në gjendje tejet të rëndë shëndetsore. Numri i përgjithshëm i të vdekurve është 13.” – tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.

Shumica e të lënduarve bashkë me trupat e viktimave, janë transferuar në spitalin “8 shtatori”. Drejtori i këtij spitali Hristijan Kostov tha se njëri nga 35  të lënduarit  është në gjendje kritike. Kostov tha se spitali ka kapacitet të menaxhojë me këtë situatë. Sipas drejtorit të Urgjencës kirurgjikale, Ilir Hasani momentalisht në këtë Qendër kanë 7 të lënduar. Dy janë në gjendje stabile, tre në sallën e operacionit, e lënduara shtatzëne është në gjendje stabile. Por asnjë nga pacientët që kanë pranuar në këtë klinikë nuk e ka humbur jetën.

Rreth orës 17:00 të së mërkurës, autobusi i linjës Shkup-Gostivar, u rrokullis në anë të autostradës, në afërsi të fshatit Llaskarcë,  pak pas kalimit të pikëpagesës së parë në dalje nga Shkupi.Menjëherë pas aksidentit, helikopterë, ambulanca, ekipet policore dhe qytetarë të shumtë u angazhuan për të nxjerrë udhëtarët e lënduar që ishin bllokuar në autobusin e rrokullisur.

Shkaqet e aksidentit ende nuk dihen, por sipas të dhënave të para nga burime nga Ministria e Brendshme pas marrjes në pyetje të shoferit të autobusit, mësohet se shkak për aksidentin nuk ka qenë plasja e gomës por pikërisht humbja e kontrollit të automjetit nga ana e shoferit. (Ersan Pajaziti, TVM2)