Tragjedia në magjistralen Shkup-Tetovë, Qeveria shpall dy ditë zie për viktimat
Maqedonia e Veriut dhe Gostivari sot janë në zi për 15 viktimat e aksidentit tragjik.....

Maqedonia e Veriut dhe Gostivari sot janë në zi për 15 viktimat e aksidentit tragjik që ndodhi dje në magjistralen Shkup-Tetovë.
Në seancën e jashtëzakonshme të qeverisë mbrëm u vendos që 14 dhe 15 shkurti, të shpallen ditë zie për shkak të vdekjes së 15 personave në aksident. Shtatë persona humbën jetën në vendin e aksidentit ndërsa 7 të tjerë në spital për shkak të lëndimeve të mëdha.
“Një natë e vështirë, nuk kam fjalë për të shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave. Bashkë ndajmë dhimbjen. I mobilizuam të gjitha forcat, sonte Qeveria solli vendim me të cili në 14 dhe 15 shkurti shpallen ditë zie”, - deklaroi kryeminsitri Zoran Zaev pas mbledhjes së jashtëzakoshme të qeverisë. “Intervenimet e të gjitha institucioneve ishin të shpejta, për fat të keq jetën e kanë humbur 14 persona, 7 prej të cilëve në vendngjarje, 7 nëpër spitale ndërsa 37 janë hospitalizuar”, - u shpreh kryeminsitri Zaev.
Sot në ora 12 seancë të jashtëzakonshme me rastin e ngjarjes tragjike do të mbajë edhe Komuna e Gostivarit. Pritet që këshilltarët të marrin vendim për shpalljen e tre ditëve zie në shenjë respekti për viktimat. Ekspertiza në vendin e ngjarjes vazhdon sot ndërsa ende nuk dihen shkaqet që sollën deri në këtë fatkeqësi.
Autobusi i kompanisë “Durmo turs” dje rreth orës 17:00 është rrokullisur në autostradën Shkup – Tetovë te fshati Llaskarcë.
