Ademi: BDI më e fortë pas zgjedhjeve të brendshme partiake
Zgjedhjet e përgjithshme brendapartiake në BDI nuk pritet të sjellin ndryshime të mëdha.......

Më me rëndësi për partinë e Ahmetit është që BDI të del më unike dhe më fortë për sfidat e reja politike, thotë sekretari i përgjithshëm i BDI-së Abdulaqim Ademi.
Ai sqaron se për organizimin dhe mbykqyrjen e zgjedhjeve është formuar këshill i posacëm, ndërsa janë caktuar edhe koordinatorët për secilën njësi zgjedhjore vec e vec.
“Nuk pritet ndonjë pakënaqësi ose ndonjë risi shumë e madhe sepse BDI mbështetet në strukturat e saj, të cilat kanë dhënë kontribut jo vetëm në zgjedhjet e fundit, por në të gjitha ciklet zgjedhore që nga themelimi e deri më sot” – tha sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdulaqim Ademi.
Ademi nuk përjashton mundësinë për zgjedhje të parakohëshme parlamentare nëse dështon procesi eurointegrues. Sipas tij BDI gjithmonë është e gatshme për zgjedhje të reja, por zgjedhjet brenda partisë nuk bëhen për këtë qëllim.
“Bashkimi Demokratik për integrim është gjithmonë i përgatitur për zgjedhje, mirëpo nga këto zgjedhje të brendëshme partiake presim që ne të dalim edhe më unik edhe më të strukturuar dhe më të fortë dhe këtu është edhe qëllimi kryesor” – u shpreh sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdulaqim Ademi.
Kryesia Qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim më 20 gusht vendosi që procesi i riorganizimit të partisë, i nisur në nëntor të vitit 2013 të vazhdojë. Procesi i zgjedhjeve të brendshme, në nivel degësh dhe këshillash vendorë, u pezullua përkohësisht në mars të këtij viti, për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Procesi i zgjedhjeve të brendshme duhet të përfundojë deri në muajin nëntor. (Shpëtim Nuredini, TVM2)
