Aksidenti tragjik, i mbijetuari tregon momentet e tmerrit
Të mbijetuarit ende nuk e kanë marrë veten nga tragjedia e së mërkurës....

Të mbijetuarit ende nuk e kanë marrë veten nga tragjedia e së mërkurës. Njëri prej tyre tregon se kur kanë filluar problemet e autobusit është ngritur në këmbë që të shohë shoferin.
Sipas tij, shoferi i ka bërë të gjitha përpjekjet që ta mbajë drejtimin e autobusit, por për fat të keq, autobusi ka dalë në rrugën Tetovë-Shkup dhe pastaj është përplasur në të dyja gardhet metalike në mes të autostradës dhe në anën tjetër të saj, për të përfunduar i përmbysur poshtë, në rrugën që lidh fshatrat.
“Diku rreth orës 4:30 u nisëm nga stacioni në Karposh. U nisëm dhe më kujtohet vetëm se isha ulur në karrigen e tretë në anën e kundërt me shoferin, kur diçka në autobus filloi të kërcasë. E pashë që diçka nuk është në rregull dhe u ngrita në këmbë se mendova mos ndoshta shoferin e ka zënë gjumi. Pashë shoferin që e kishte shtrënguar timonin dhe u mundova të arrij te ai që të mbaj drejtimin e autobusit. Ai në atë moment humbi kontrollin dhe hyri në lentën e kundërt, në drejtimin Tetovë – Shkup, ku për momentin për fat të mirë nuk kishte vetura të tjera”,- tha pasagjeri i ndodhur në autobusin e aksidentuar.
Më pas gjërat edhe për të janë të turbullta, pasi gjithçka ndodhi shumë shpejt.
“U shtrëngova për karrigen dhe më kujtohet momenti kur u përplas autobusi dhe në momentin kur u ndal, dola nga dritarja dhe vetëm krahun e kam të lënduar. Ishte me mua një djalë nga Shqipëria, nuk e di kush ishte, po nuk e dinte ku shkonte në Gostivar. Dola dhe erdhën menjëherë disa njerëz në ndihmë. Pastaj 4 veta i futëm në një veturë private golf dhe më pas erdhën edhe veturat tjera të Ndihmës së Shpejtë”,- u shpreh pasagjeri.
Nuk ishin kaq me fat 7 pasagjerë që ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, e as të tjerët që ndërruan jetë më pas në spital, duke mos u mbijetuar dot lëndimeve të marra. (Sedat Selimi, TVM2)
