Botë

Thellohet kriza në Venezuelë, Maduro nuk i pranon ndihmat, ka mungesë ushqimi

14.02.2019 16:37

Banorët e Venezuelës po përballen me mungesë drastike të ushqimit, përderisa kriza ekonomike po thellohet...

Presidenti i kontestuar, Nicholas Maduro, i tha BBC-së se nuk do të lejojë ndihmat për banorët, pasi pretendon se ato janë një mjet i Shteteve të Bashkuara për të ndërhyrë në shtetin e tij.

Kamionët me ndihma humanitare të ShBA-së arritën javën e kaluar në qytetin kufitar Kolumbu, por u ndaluan në urën Tienditas, e cila është bllokuar nga trupat venezueliane të kontrolluara nga Maduro.

Udhëheqësi i opozitës, Juan Guaido i cili është njohur nga ShBA-ja dhe qeveritë perëndimore si president i përkohshëm i Venezuelës, ka premtuar se do të sigurojë që ndihmat humanitare, që janë bllokuar nga presidenti, të hyjnë në vend.

“Ne kemi pothuajse 300,000 banorë të Venezuelës, të cilët do të vdesin nëse ndihma nuk do të hyjë. Ka pothuajse dy milionë në rrezik shëndetësor”, tha Guaido.

Sipas tij,  ndihmat humanitare do të hyjnë  në Venezuelë më 23 Shkurt. Venezuela ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me ShBA-në, dhe presidenti Trump tha se përdorimi i forcës ushtarake mbetet “një opsion”.

Rusia, ka paralajmëruar tashmë Shtetet e Bashkuara kundër ndërhyrjes në punët e brendshme të Venezuelës. Moska i ka dhënë miliarda dollarë ndihmë Qeverisë së Maduros por  Venezuela aktualisht është në kaos ekonomik.