Maqedoni

Aksidenti, identifikohen 14 viktimat e tragjedisë. Gostivari dhe Vrapçishti në zi, mbledhje komemorative në nderim të viktimave

14.02.2019 17:15

Gostivari dhe qytetarët e tij sot përjetuan një ditë të rëndë përplot me dhimbje për humbjen e 15 qytetarëve në fatkeqësinë e rëndë...

Gostivari dhe qytetarët e tij sot përjetuan një ditë të rëndë përplot me dhimbje për humbjen e 15 qytetarëve në fatkeqësinë e rëndë të komunikacionit që ndodhi në dalje të Shkupit pasditen e së mërkurës.
 
I tërë qyteti është i mbuluar me heshtje, dhembje e zi për viktimat të cilat kryesisht janë nga Gostivari.
 
Tashmë edhe zyrtarisht janë identifikuar emrat e viktimave, mes tyre ka studentë dhe punonjës të rinj të administratës, që ktheheshin në shtëpitë e tyre në momentin tragjik. Rametulla Abdurraimi nga Gostivari, Valdete Hamiti 30 vjeç nga Debreshti, që la jetimë dy fëmijëve të mitur, Jovica Tërpevski nga Gostivari, Besim Kamberi nga fshati Senakos, Onur Sadiku - 19-vjeçar, Zoran Davidovski - 38 vjeçar, Esat Emruli, Ajdin Ismaili - 19 vjeç, Tërpana Janevska - pensioniste, Pavle Kostoski, të gjithë nga Gostivari, Besim Fetai nga Vrapçishta, Bejza Uzeiri nga Banjica e Poshtme, Boban Avramovski student dhe Dejan Ristevski. Këshilli komunal i Gostivarit shpalli tre ditë zie dhe mbajti një mbledhje komemorative për të nderuar viktimat e aksidentit tragjik. Para ndërtesës së komunës flamujt u ulën në gjysmështizë.
 
“Vdekja mori dje në një orë të vetme 14 prej nesh. 14 jetë njerëzish, 14 histori të ndërprera në pasditen e zymtë të 13 shkurtit 2019. Orët e mortit nuk kanë qenë kurrë të lehta, ashtu si sot, ku pesha e tyre mezi më lejon të artikuloj fjalët e mia.”,- tha kryetari i Gostivarit, Arben Taravari.
 
“Njeriu kur ka njerëz përreth nuk është vet, ndaj erdha që t’ju them se ndoshta humbja është e pakompensueshme, por ne erdhëm këtu që të jemi me ju dhe nuk do t’ju lëmë vetë. Qeveria do të bëjë çmos që t’iu dalë në ndihmë familjeve të viktimave si dhe do të angazhohet maksimalisht që të zbardhi shkaqet që sollën deri tek ky aksident”,- u shpreh kryeministri, Zoran Zaev.
 
LULZIM HAZIRI